Meta reagon pas hyrjes në koalicion me PD-në dhe bën thirrje për regjistrim të diasporës


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu pas miratimit unanim nga Kryesia e partisë së tij për hyrjen në koalicionin opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Meta theksoi se çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda dhe jashtë vendit, do të angazhohet maksimalisht për, siç e cilëson ai, “shkuljen nga themelet të narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar”.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj për të ndëshkuar qeverinë aktuale, duke e akuzuar atë për dëbimin e mbi një milion shqiptarëve në emigrim.

Falënderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokrarike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.

U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.

Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!”-shkruan Meta.