Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Donald Trump për të vendosur tarifa mbi mallrat kanadeze, duke e cilësuar atë si “një veprim shumë të pamenduar”.
Në një fjalim drejtuar qytetarëve kanadezë, Trudeau iu drejtua direkt ish-presidentit amerikan:
“Tani, nuk është në zakonin tim të pajtohem me Wall Street Journal, por Donald, ata theksojnë se edhe pse ti je një njeri shumë i zgjuar, ky është një veprim shumë i pamenduar. Dy miq që luftojnë mes tyre është pikërisht ajo që kundërshtarët tanë në botë duan të shohin,” tha ai, përcjell The Guardian.
Trudeau njoftoi se qeveria e tij do të kundërshtojë tarifat e SHBA-së përmes Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe përmes marrëveshjes së tregtisë së lirë midis dy vendeve.
Kanadaja tashmë ka vendosur tarifa hakmarrëse mbi mallra amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë kanadezë, ndërsa ka paralajmëruar vendosjen e tarifave shtesë mbi 125 miliardë dollarë kanadezë brenda 21 ditëve nëse SHBA nuk tërhiqet.
“Tarifat tona do të mbeten në fuqi derisa tarifat e SHBA-së të hiqen – dhe jo asnjë moment më parë. Dhe nëse këto tarifa nuk ndalen, ne po shqyrtojmë masa të tjera jo-tarifore në bashkëpunim me provincat dhe territoret, për të treguar se në një luftë tregtare nuk ka fitues,” shtoi Trudeau.