Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e përfaqësuesve të tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të refuzojnë propozimin e PD-së për zgjatjen e afatit të regjistrimit të diasporës deri më 9 mars.
Sipas Berishës, ky vendim përbën një “shkelje madhore të Kushtetutës” dhe një përpjekje për të përjashtuar nga vota mbi 500 mijë shqiptarë jashtë vendit, ndërsa shifra të tjera flasin për mbi 800 mijë persona të prekur.
“Edi Rama personalisht në vitin e diasporës urdhëroi përfaqësuesit e tij në KQZ të refuzojnë propozimin e përfaqësuesve të PD për zgjatjen të paktën deri në datën 9 regjistrimet e diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Refuzimi kategorik i Ramës dhe përfaqësuesi i tij Damian Gjiknuri, dëshmojnë frikën dhe tmerri që i ka kapur ata dhe partinë e krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit.
Ky refuzim është shkelje madhore e Kushtetutës dhe përjashtimi nga e drejta e votës e të paktën 500 mijë personave, shifra të tjera flasin dhe për 800 mijë, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduar. Pa përfshirë qindra mijëra të tjerë që nuk disponojnë dokumente të lëshuara në Shqipëri por dokumente të rregullta nga vendet ku jetojnë.”