Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat theksoi se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është premtimi më i madh për shqiptarët pas përmbysjes së diktaturës komuniste.
Berisha paraqiti paketën e koalicionit për përmirësimin e kushteve ekonomike për shqiptarët, e cila përfshin vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro dhe indeksimin e tij çdo vit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimit të naftës dhe energjisë, dhe mbështetje për familjet me karta konsumatori që ofrojnë rimbursim deri në 450 euro në vit për ushqimet dhe produktet bazë.
“Premtimi më real që është bërë ndonjë herë në Shqipëri. Unë e kuptoj që njerëz të lodhur e të rraskapitur nga skamja, mendojnë se Shqipëria madhështore është Shqipëria e largët. Jam sot para jush për t’ju garantuar se ajo do të jetë më e afërt se kurrë. Do të jetë një realitet i mrekullueshëm për shqiptarët në Shqipëri e kudo në botë.
Shqipëria madhështore ka si kush të gjitha kushteve që asnjë shqiptar i vetëm të mos njohë më varfërinë. Paketa jonë për vendosjen e minimumit jetik 200 euro dhe indeksimin e tij të përvitshëm, vendosja e rrogës min 500 euro, mesatare 1200 euro, rritja e pensioneve me 20 %, ulja e çmimit të naftës me 30-40%, vendosja e kartës së konsumatorit për të rimbursuar shumën rreth 450 euro në vit për ushqimet dhe gjërat bazë, çmimi i energjisë prej 7 lekësh do të japin një çlirim të menjëhershëm të shqiptarëve nga dhimbjet e skamjes. Nëse do të flasim në terma apolitike, kjo është kolona e dhembshurisë njerëzore.
Shqipëria madhështore bazohet në kolonën e dhembshurisë njerëzore. Do të kemi një përmbysje të shpërndarjes të të ardhurave”, tha ai.