Instituti Norvegjez Nobel njoftoi sot se janë gjithsej 338 nominime për Çmimin Nobel të Paqes të këtij viti, pa bërë të ditur asnjë emër. Sqarohet se bëhet fjalë për 244 individë dhe 94 organizata.
Kongresmeni amerikan Darrell Issa njoftoi të hënën përmes një postimi në platformën X se propozon Presidentin e SHBA Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, duke pretenduar se “askush nuk e meriton më shumë”.
Zyra e kongresmenit më vonë sqaroi se përpjekjet e Trump për paqe në Lindjen e Mesme e shtynë Issa të merrte këtë iniciativë.
Mediat ukrainase raportojnë se deputeti ukrainas Oleksandr Mereshko ka nominuar Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes që nga nëntori i kaluar, në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e manjatit republikan menjëherë pas fitores së tij në zgjedhjet amerikane.
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka ndezur tensione me disa nga zgjedhjet e tij – të tilla si konsultimet me Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pa përfaqësimin e Kievit apo BE-së – si dhe ndryshime në politikën e jashtme të SHBA.
Nominimi i Trump për Çmimin Nobel për Paqen nxjerr në pah ndarjen e vazhdueshme politike mbi trashëgiminë e tij të politikës së jashtme, përcjell MSN. Mbështetësit argumentojnë se përpjekjet e tij në Lindjen e Mesme justifikojnë njohjen, ndërsa kritikët thonë se Trump nuk e meriton çmimin.
Komiteti i Nobelit nuk i njeh publikisht kandidatët dhe nominimet e kaluara të Trump nuk kanë rezultuar me fitore. Megjithatë, me përshkallëzimin e konflikteve globale, çdo njohje e përpjekjeve për paqe – qofshin simbolike apo thelbësore – mund të ndikojë në diskursin ndërkombëtar dhe në pozitën politike të Trump.