Fermerët në fshatin Zvirine të Maliqit kanë presë 35 hektarë të mbjella me mollë. Ata kanë pohuar se nuk ka treg për shitjen e tyre pasi malli i importit ka goditur rëndë sektorin, shkruan Euronews. Sipas një fermeri që është marrë prej tre brezash me kultivimin e mollëve, ka 3-4 vite që malli nuk shitet.
“Nuk shkojnë, nuk ka çmim pesticidet katastrofë, molla nuk shkon. E pres, të pres kokën? Djalin nuk e kam, çupen jo, 65 vjet pension, ngeli prodhimi, kam akoma mollë për të shitur. Mollë cilësorë, e gjithë Shqipëria kështu është. Të lot truri i kokës. Kam edhe bahçen tjetër, gjersa të iki e unë gjëkundi. Nuk rrihet këtu”, tha fermeri Skënder Nurka.
Pemët e mollëve që janë shkuluar janë të mbjella vitet e fundit. Anëtarët e familjes Nurka i hodhën mblodhën në emigracion, i hodhën në këto toka, por gjendja me tregun e ka detyruar Skënderin të heqë dorë nga trashëgimia familjare.
“Jemi rritur me këtë punë. Agronomi mbarova, ne ’79, me këtë jam ushqyer unë, babi e djali. Djali iku në Itali, ka 3 vjet. Çfarë faji kemi ne, faj kanë ata që na rropën së gjalli”, shtoi ai.
Prerja e mollëve vijon edhe në zonën e Devollit, aty ku fermerët po heqin dorë nga drufrutorët, pasi mungon tregu për shitje, dëmtohen nga konkurrenca e pandershme dhe kryesorja, nga mallrat e importit.
Në fushën e Maliqit dhe të Devollit numërohen afro 35 ha tokë e mbjellë me drufrutorë, të cilët janë prerë nga fermerët.