Ka përfunduar në mbrëmjen e të mërkurës procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit në Kosovë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15, 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai u shpreh se KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
“Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.
Ndërsa foli edhe për rastin në Vushtrri duke thënë se në përgjigje kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte, KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e lartpërmendur.
“Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë. Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar i këtyre fletëvotimeve”, nënvizoi Elezi.
Ai theksoi se në rast se palët janë të pakënaqura me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme.
“Në rast se palët janë të pakënaqura me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme. KQZ duhet të presë vendimmarrjen e këtyre institucioneve, të zbatojë vendimet eventuale qe dalin pas procesit ankimor dhe pasi të përfundojë këto çështje, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ta përmbyllë procesin zgjedhor”, përfundoi Elezi.