Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj komenteve mbi të dhënat e UN Tourism, ku Shqipëria renditet ndër vendet me rritjen më të madhe të turizmit në vitin e kaluar.
Një nga komentuesit shkruante: “Ne ja kalojmë Greqisë për turizëm? Kush i nxjerr këto marrëzira? Vetëm në portin e Pireut po të shkosh dhe të shikosh se sa turistë lëvizin nëpër ishujt grekë, ne as që do t’i kemi për gjithë jetën tonë…”
Në përgjigjen e tij, Rama sqaroi se krahasimi nuk bëhej mbi numrin absolut të turistëve, por mbi rritjen që ka shënuar Shqipëria në vitin e kaluar.
“Këtu flitet për rritje krahasimisht me vendet e mëparshme, sepse me numra absolutë as krahasohemi dhe as kemi pse krahasohemi. Këtu flitet se cili vend është zhvilluar më shumë në vitin që lamë pas.”
Ai gjithashtu theksoi se, pavarësisht preferencave politike, suksesi i Shqipërisë në turizëm duhet të jetë arsye për gëzim.
“Mos të duash këtë qeverinë time të poshtër, nuk duhet të të pengojë të gëzohesh për Shqipërinë. Qeveritë shkojnë e vijnë, por Shqipëria mbetet përjetë. Dhe kur Shqipëria shkëlqen si në turizëm dhe e thonë të tërë, s’ke pse ia kursen vetes një buzëqeshje mor Paulin.”