Senati italian miraton marrëveshjen për pensionet me Shqipërinë


Senati italian ka miratuar marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 6 shkurt 2024 në kryeqytetin italian Romë mes ministrit të Jashtëm  shqiptar Hasani e homologut italian Tajani.

Tirana e Roma ishin në bisedime prej 15 vitesh për marrëveshjen e rëndësishme, që garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.

Përfitues janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë, shkruan Shqiptarja.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.