Tabaku: Kriza në sektorin fason sjell 13.1% më pak të punësuar në industrinë prodhuese


Industria prodhuese në Shqipëri po përballet me një rënie të ndjeshme të punësimit, ku sektori fason është ai që ka pësuar goditjen më të madhe. Sipas të dhënave më të fundit, ka 13.1% më pak të punësuar në këtë sektor, një situatë që opozita e ka paralajmëruar prej kohësh.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar mungesën e mbështetjes nga qeveria, e cila sipas saj ka çuar në shpunësime masive dhe vështirësi të mëdha për kompanitë prodhuese. Ajo vuri në dukje se zhvlerësimi i euros ka bërë që produktet shqiptare të bëhen të pashitshme në tregjet rajonale dhe europiane, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.

“Prej disa vitesh dhe çdo tremujor kemi paralajmëruar qeverinë se sektori fason po lëngon. Rënia e punësimit në këtë sektor është një fakt që vjen nga shpunësimet masive që kanë ndodhur për shkak të mungesës së një sistemi të qartë fiskal dhe mbështetjes reale për eksportet,” u shpreh Tabaku.

Sipas saj, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për të ndihmuar këtë sektor jetik për ekonominë shqiptare. Ajo propozon një zgjidhje të qartë dhe të realizueshme: krijimin e një agjencie për eksportet, ngritjen e një fondi subvencionesh për ata që duan të shesin produktet shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe një sistem taksash që mbështet dhe nxit prodhimin.

“Zgjidhja nuk kërkon shpikjen e rrotës apo ndonjë mrekulli. Duhet vetëm një prioritet i qartë për të mbështetur produktet shqiptare dhe një ekonomi reale, larg informalitetit dhe parasë së pistë që zhvlerëson euron,” shtoi deputetja demokrate.

Në përfundim, Tabaku theksoi se kjo krizë në sektorin fason është një tjetër arsye pse qytetarët duhet të mbështesin Partinë Demokratike dhe programin e saj ekonomik, që synon një ekonomi më të qëndrueshme dhe të bazuar në prodhimin e vërtetë.