Trump shtyn për një muaj tarifat për makinat nga Meksika dhe Kanadaja


Presidenti Donald Trump ka dhënë një përjashtim njëmujor për tarifat mbi makinat e importuara nga Meksika dhe Kanadaja, konfirmoi të mërkurën Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. 

Ne folëm me tre prodhuesit kryesorë të makinave. Do të japim një përjashtim njëmujor për të gjitha automjetet që vijnë përmes USMCA,” tha Trump në një deklaratë të lexuar nga Leavitt gjatë një konference për shtyp.

Kompanitë që kërkuan këtë bisedë ishin Stellantis, Ford dhe General Motors, sqaroi ajo, përcjell CNN.

“Tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi më 2 prill. Por, me kërkesë të kompanive të lidhura me USMCA, presidenti po u jep atyre një përjashtim njëmujor që të mos përballen me një disavantazh ekonomik,” shtoi Leavitt. 

Ajo theksoi se gjatë këtij muaji, kompanitë duhet të punojnë për të përmbushur objektivat e Trump-it. 

“Ai u tha atyre që të fillojnë të investojnë, të zhvendosin prodhimin këtu në Shtetet e Bashkuara, ku nuk do të paguajnë asnjë tarifë. Ky është synimi përfundimtar,” theksoi ajo. 

 

Kanadaja kundërshton tarifat 

Pavarësisht përjashtimit njëmujor, Kanadaja nuk e ka mirëpritur vendimin. Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Tregtisë, makinat janë eksporti i dytë më i madh i Kanadasë drejt SHBA-së. 

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha se ai dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau nuk do të pranojnë tarifa mbi mallrat e vendit të tyre.

 “Jemi në të njëjtën linjë: zero tarifa, dhe nuk do të lëvizim nga ky qëndrim,” deklaroi Ford gjatë një konference për shtyp të mërkurën. 

Vendimi i Trump-it për të dhënë këtë shtyrje vjen pak para vendosjes së tarifave reciproke në mbarë globin, të cilat pritet të shpallen më 2 prill.

Sipas Leavitt, për këto tarifa nuk do të ketë asnjë përjashtim. 

Këto tarifa mund të aplikohen mbi tarifat ekzistuese prej 25% për mallrat e tjera kanadeze dhe meksikane. Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, sugjeroi javën e kaluar se Kanadaja mund të përballet me tarifa të reja për shkak të taksës së saj kombëtare prej 5%. 

 

Rëndësia e Meksikës dhe Kanadasë për zinxhirin e furnizimit të automjeteve 

Industria e makinave në Amerikën e Veriut ka funksionuar për dekada pothuajse pa kufij, falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë të nënshkruara nga presidentë të ndryshëm, përfshirë edhe Trump-in. 

Si rezultat, pjesët dhe automjetet e plota qarkullojnë lirisht mes kufijve, shpesh disa herë, para se të arrijnë në një koncesionar në SHBA. 

Prodhuesit amerikanë të makinave kanë paralajmëruar se tarifat mbi automjetet dhe pjesët e tyre nga Kanadaja dhe Meksika do t’i vendosnin fabrikat amerikane në një disavantazh të madh.

Kjo sepse edhe makinat e montuara në SHBA përmbajnë pjesë nga Meksika dhe Kanadaja, duke rritur kostot e tyre me mijëra dollarë për makinë. Ndërkohë, makinat e importuara nga Europa dhe Azia, të cilat përmbajnë më pak pjesë nga këto dy vende, nuk do të preken nga tarifat. 

“Kjo do t’u jepte një avantazh të jashtëzakonshëm kompanive nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Europa,” tha CEO i Ford-it, Jim Farley, në një konferencë për investitorët muajin e kaluar.

“Ato sjellin rreth 1.5 deri në 2 milionë automjete në SHBA, të cilat nuk do të preken nga tarifat ndaj Meksikës dhe Kanadasë. Kjo do të ishte një nga përfitimet më të mëdha që këto kompani kanë parë ndonjëherë.” 

Në vitin 2024, Kanadaja prodhoi 1.3 milionë automjete, ndërsa Meksika 4 milionë, sipas të dhënave të S&P Global Mobility. Rreth 70% e këtyre makinave u shitën në SHBA. Ndërkohë, fabrikat amerikane prodhuan 10.2 milionë makina. 

Vitin e kaluar, SHBA importoi automjete me vlerë 217 miliardë dollarë, sipas Departamentit të Tregtisë.

Meksika ishte burimi kryesor i këtyre importeve, duke eksportuar më shumë makina drejt SHBA-së se çdo vend tjetër. Pas saj renditeshin Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Gjermania, të cilat eksportuan gjithsej 131 miliardë dollarë në makina. 

Makina ishte eksporti më i madh i Meksikës drejt SHBA-së vitin e kaluar, me një vlerë prej 50 miliardë dollarësh. Për Kanadanë, pas naftës së papërpunuar, makinat ishin eksporti i dytë më i madh, me një vlerë prej 28 miliardë dollarësh. 

Përveç makinave, Kanadaja dhe Meksika eksportuan në SHBA pjesë makinash me vlerë 47 miliardë dollarë vitin e kaluar. 

Sipas një analize të Anderson Research Group, një institut kërkimor në Michigan, tarifa 25% mbi importet meksikane dhe kanadeze mund të rrisë koston e prodhimit të makinave në Amerikën e Veriut nga 3,500 deri në 12,000 dollarë për makinë.