Hamas akuzon Trump-in për nxitjen e Izraelit të tërhiqet nga armëpushimi në Gaza


Hamas ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se po përpiqet të minojë armëpushimin e brishtë në Gaza përmes një ultimatum të ashpër që i kërkon grupit të lirojë të gjithë pengjet.

Organizata islamiste militante deklaroi se kërcënimet e Trump-it përbëjnë mbështetje për përpjekjet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të mos zbatuar marrëveshjen e armëpushimit.

“Këto kërcënime e ndërlikojnë situatën… dhe inkurajojnë [Izraelin] që të shmangë zbatimin e kushteve të saj,” deklaroi zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qasim, të enjten, përcjell The Guardian.

Trump shkroi në një postim në rrjetet sociale të mërkurën:

“Lironi të gjithë pengjet tani, jo më vonë, dhe ktheni menjëherë trupat e pajetë të njerëzve që keni vrarë, ose për ju është FUND.”

Luftimet në Gaza janë pezulluar që nga 19 janari, pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA, Katari dhe Egjipti. Gjatë kësaj periudhe, Hamasi ka liruar 33 pengje izraelite dhe pesë tajlandezë në këmbim të rreth 2,000 të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, faza e parë e armëpushimit përfundoi të shtunën, dhe negociatat për fazën e dytë kanë ngecur.

Postimi i Trump-it erdhi disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se SHBA ka hyrë në negociata të drejtpërdrejta me Hamasin, duke anashkaluar potencialisht Izraelin për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane që ende mbahen nga grupi.

Trump shkroi gjithashtu:

 “Unë po i dërgoj Izraelit gjithçka që i nevojitet për ta përfunduar këtë punë. Asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt nëse nuk bëni atë që ju them.”

Nga ana tjetër, Izraeli ka vendosur një bllokadë të plotë mbi hyrjen e ndihmave në Gaza, duke kërkuar që Hamasi të lirojë të gjitha pengjet pa nisur negociata për përfundimin e luftës.

Ndërkohë, Hamasi ka konfirmuar se ka pasur dy takime të drejtpërdrejta me zyrtarë amerikanë në Doha, kryeqytetin e Katarit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se Izraeli është informuar për bisedimet e vazhdueshme me Hamasin.

Ndërsa Trump vazhdon të mbështesë Izraelin, disa analistë besojnë se Netanyahu mund të shpresojë të sigurojë kushte më të mira ose lirimin e më shumë pengjeve pa bërë lëshime të mëdha.