Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, njoftuan sot, pas një takimi në Bruksel, synimin e tyre për të përafruar nismën e Komisionit Evropian “Scaling Up Renewables in Africa” me “Mission 300”, e cila ka për qëllim të sigurojë energji elektrike për 300 milionë njerëz në Afrikë deri në vitin 2030.
Me rreth 600 milionë njerëz në Afrikë ende pa akses në energji elektrike, ka një nevojë urgjente për një shtysë të koordinuar dhe ambicioze për të zgjeruar aksesin në energji. Kjo është thelbësore për të shfrytëzuar potencialin e rritjes së Afrikës, për të përmbushur kërkesën në rritje, për të krijuar vende pune për gjeneratën e ardhshme dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Bashkëpunimi midis “Mission 300” dhe “Scaling Up Renewables in Africa” synon të nxisë këtë transformim.
“Ne jemi në një mision: të furnizojmë Afrikën me energji të pastër. Në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me Presidentin Ramaphosa, nisa fushatën Scaling Up Renewables in Africa për të nxitur investime të rëndësishme drejt këtij qëllimi. Sot, po e çojmë këtë më tej. Bashkojmë forcat me Bankën Botërore për të përshpejtuar vendosjen e energjisë së rinovueshme në kontinent. Së bashku, duam të sigurojmë energji më të pastër dhe më të qëndrueshme për miliona njerëz. Le ta bëjmë realitet”, u shpreh presidentja Von der Leyen.
“Energjia elektrike është më shumë se thjesht fuqi—është themeli i vendeve të punës, mundësive dhe rritjes ekonomike. Është një e drejtë themelore njerëzore. Mission 300 synon të lidhë 300 milionë njerëz me energji të besueshme dhe të përballueshme, në mënyrë që bizneset e vogla të zhvillohen dhe të rinjtë të përgatiten për punët e së ardhmes. Duke e përafruar këtë iniciativë me Scaling Up Renewables in Africa të Komisionit Evropian, ne po forcojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të zgjeruar aksesin në energji, për të tërhequr investime dhe për të nxitur progres të qëndrueshëm ekonomik”, ishte fjala e presidentit Banga.
Nisma “Scaling Up Renewables in Africa”, e nisur nga Presidentja von der Leyen dhe Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, në nëntor 2024, synon të mobilizojë angazhime të reja nga qeveritë, institucionet financiare, sektori privat dhe filantropët për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme në të gjithë kontinentin. Në partneritet me organizatën Global Citizen dhe me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kjo nismë fokusohet në zgjidhje politike dhe financiare.
E lançuar në prill 2024 nga Grupi i Bankës Botërore dhe Banka Afrikane e Zhvillimit, Mission 300 bashkon qeveritë, sektorin privat, institucionet e zhvillimit dhe organizatat filantropike për të siguruar energji të përballueshme, për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve publike, për të tërhequr investime private dhe për të garantuar një akses të besueshëm dhe të qëndrueshëm në energji elektrike. Kjo iniciativë, e mbështetur nga partnerë si The Rockefeller Foundation, synon gjithashtu të nxisë integrimin rajonal dhe zgjerimin e aksesit në energji në të gjithë Afrikën.
Bashkëpunimi midis Komisionit Evropian dhe Grupit të Bankës Botërore do të mundësojë mbështetje të shtuar për financimin e projekteve të energjisë së qëndrueshme në Afrikë dhe do të kulmojë në Samitin e Liderëve të G20, që do të mbahet në Afrikën e Jugut në nëntor 2025. Angazhimet e bëra në kuadër të fushatës “Scaling Up Renewables in Africa” do të kontribuojnë në Mission 300, për të avancuar objektivin e përbashkët të përmirësimit të lidhjes me energjinë për popullsinë afrikane.