Kandidatja e Demokratëve Euroatlantikë për Tiranën, Taulanda Jupi, ka reaguar në Facebook pas arrestimit të Erion Veliajt, duke theksuar se shqiptarët tashmë nuk e pranojnë më korrupsionin dhe kërkojnë drejtësi.
Ajo u shpreh se besimi tek SPAK është rritur, dhe qytetarët e ndershëm po shohin dritën në fund të tunelit të korrupsionit.
Jupi shtoi se 11 maji është momenti për të zgjedhur drejtësinë e pavarur dhe për të ndëshkuar politikanët e korruptuar, të cilët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar nga burgu.
Postimi:
Shqiptarët nuk u binden më, të korruptuarve – drejtësia nuk ndalet!
Kur e vërteta del në dritë, propaganda dështon. Pas arrestimit të Erion Veliajt, shumica dërrmuese e shqiptarëve—socialistë, demokratë dhe qytetarë pa parti kanë treguar qartë se nuk u binden më udhëheqësve të korruptuar të tranzicionit. Ata e dinë se drejtësia e vërtetë nuk ka ngjyrë politike dhe nuk ndalet për askënd!
Besimi tek SPAK-u është më i lartë se kurrë, duke tejkaluar edhe institucionet ndërkombëtare më të vlerësuara nga shqiptarët. Vlerësimi i qytetarëve për punën e SPAK është rritur nga 60% në 71% sepse qytetarët e ndershëm e shohin më në fund dritën në fund të tunelit të korrupsionit që i ka mbajtur peng për dekada.
Ata që kanë abuzuar me pushtetin po e ndjejnë fundin e tyre dhe janë në panik. Për këtë arsye, po bëjnë gjithçka për të shpëtuar vetenduke sulmuar SPAK-un dhe duke u përpjekur të mbrojnë njëri-tjetrin.
Por shqiptarët nuk do të mashtrohen më. Më 11 maj, ata do të zgjedhin të ardhmen dhe jo të shkuarën. Do të votojnë për të mbështetur një drejtësi të pavarur, jo për t’i shpëtuar politikanët e vjetër nga burgu.
Drejtësia ka nisur rrugën e saj dhe nuk do të ndalet. Shqipëria nuk do të kthehet më pas! Shqipëria meriton më shumë!