Lëvizja Bashkë regjistrohet për zgjedhjet e 11 majit, prezanton kandidatët për deputet


Lëvizja Bashkë ka dorëzuar në KQZ listën e kandidatëve dhe mbi 5 mijë nënshkrimet e qytetarëve që i mbështesin për regjistrimin në zgjedhjet e 11 majit.

Lëvizja shkruan në faqen e saj në Facebook se pjesëmarrja në zgjedhje shënon hap vendimtar për një shtet që u shërben qytetarëve e jo oligarkëve.

Në shënimin në rrjetin social thuhet gjithashtu se Lëvizja Bashkë lufton për shtet social, të drejtë, zhvillimor e shoqëri aktive e demokratike.

“Sot Lëvizja BASHKË dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve dhe mbi 5000 nënshkrime të qytetarëve që mbështesin regjistrimin tonë për zgjedhjet e 11 majit. Ky moment shënon një hap vendimtar në përpjekjen tonë për një shtet që u shërben qytetarëve, jo oligarkëve.

Lëvizja BASHKË nuk është parti e zakonshme. Ne jemi një lëvizje që lufton për një shtet social, të drejtë, zhvillimor dhe një shoqëri aktive e demokratike. Nuk mund të pranojmë më një sistem që varfëron shumicën dhe pasuron një pakicë tejet të ngushtë. Ne angazhohemi për një ekonomi që vendos punën mbi privilegjin, për një qeverisje që mbështet të dobtit, jo të fortët, dhe për një demokraci ku qytetarët nuk janë spektatorë, por vendimmarrës.

Kryesuesit e listave të deputetëve në qarqe:

Tiranë – Redi Muçi, pedagog

Fier – Mirela Ruko, sociologe

Durrës – Artan Kacani, arkitekt-urbanist

Elbasan – Oltion Fociro, pedagog

Shkodër – Gabriel Rakaj, inxhinier fizike

Vlorë – Ilir Zoto, avokat

Korçë – Petro Lubonja, menaxher

Berat – Elio Shyti, programues IT

Kukës – Alban Metallari, kërkues shkencor

Lezhë – Emiljando Kita, politolog

Dibër – Besian Kica, fermer

Gjirokastër – Klevis Bedaj, programues IT

Kandidatët tanë janë qytetarë të ndershëm, aktivistë të përkushtuar dhe profesionistë të mirëpërgatitur. Ata vijnë nga bota e dijes, punës, sipërmarrjes së ndershme dhe përpjekjeve të përditshme për një vend më të drejtë.

Faleminderit mijëra qytetarëve që kanë firmosur dhe mbështetur këtë përpjekje!”