Mbyllja e TikTok/ PD: Po censurohet fjala e lirë, ky akt kriminal meriton një përgjigje të ashpër


Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike të Shqipërisë, Klevis Balliu, ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e aplikacionit TikTok për një periudhë 12 mujore.

Në një postim në rrjetet sociale, Balliu shkruan se kjo është një censurë që i bëhet fjalës së lirë.

“Edi Rama me mbylljen e #tiktok censurojë fjalën e lirë.15 Mars të luftojmë për të.

Sot Edi Rama bashkojë Shqipërinë me Afganistanin Nepalin, Kinën, Pakistanin Somalinë, Indonesinë dhe Iranin duke ndalur fjalën e lirë.

Cili nga këto vënde është në Europë.

Ky akt kriminal meriton një përgjigje të ashpër, një përgjigje të egër për këtë censurë diktatoriale që vjen si rjedhojë e frikës dhe e tmerrit që ka mberthyer e kapluar këtë qeveri nga humbja e pashmangshme e datës 11 Maj.

Te bashkohemi në protestë në datën 15 Mars kundër censurës së fjalës së lirë.”- është shprehur Balliu.

Edhe drejtuesja politike e PD për Diasporën, Jozefina Topalli ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për të mbyllur TikTok-un për 12 muaj.

Topalli shkruan se mbyllja e TikTok u bë në kulmin e fushatës, ndërsa thekson se kryeministri Edi Rama është i frikësuar nga të rinjtë të cilët flasin lirshëm në këtë aplikacion komunikimi.

 “Në kulmin e fushatës, vendosi të mbyllë TikTok-un – sepse e vetmja gjë që e shqetëson më shumë se pyetjet e gazetarëve janë të rinjtë që flasin lirshëm. Pse tani? Sepse ka frikë nga fjala e lirë. Një pushtet që shmang debatin dhe mbyll platformat e komunikimit, është një pushtet që e di se po humb kontrollin”, shkruan ajo.