“Mos më ndërpritni”…”Po hedh shashka, ti del aty të bësh filozofi” – Fuga e Gjinushi përplasen ashpër te Akademia e Shkencave


Një debat i ashpër është zhvilluar në mbledhjen e Akademisë së Shkencave mes profesorit Artan Fuga dhe kryetarit të Akademisë, Skënder Gjinushi.

Gjatë diskutimit mbi raportin vjetor, Fuga ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si është paraqitur ecuria e institucionit, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe vetëkritikë.

Në fjalën e tij, Artan Fuga vuri në dyshim mënyrën e prezantimit të raportit, duke theksuar se ai nuk pasqyron realitetin e sfidave që ka shkenca shqiptare.

“Ne këtu kemi vetëm suksese, por shkenca në Shqipëri ka probleme. Kritika është thelbësore për përmirësimin e punës shkencore, ndërsa raporti juaj nuk përmban asnjë analizë mbi vështirësitë ekzistuese.” – tha Fuga.

Ai vuri në dukje se Akademia nuk duhet të mbyllet brenda vetes dhe se raporti nuk duhet të paraqitet vetëm në mënyrë propagandistike, por të trajtojë edhe problemet reale që përballen studiuesit dhe institucionet akademike.

Një tjetër kritikë e fortë e Fugës ishte mbi ndarjen dhe menaxhimin e projekteve shkencore brenda Akademisë. Ai ngriti dyshime mbi transparencën e financimeve dhe efektivitetin e realizimit të projekteve, duke theksuar se disa studiues duket se kanë marrë një numër disproporcional projektesh me vlera të larta financiare.

Më duket e tepërt që një individ të ketë 7 apo 10 projekte me mijëra euro brenda një viti. Si realizohen këto projekte? Ku është transparenca? Këto janë çështje që duhen sqaruar.” “– theksoi Fuga.

Ai sugjeroi që Akademia të krijojë një raport të detajuar mbi financimet dhe ecurinë e projekteve për të siguruar llogaridhënie dhe besueshmëri më të madhe në punën shkencore.

Gjatë debatit, ka pasur momente tensioni mes Fugës dhe kryetarit Gjinushi, i cili e ndërpreu disa herë profesorin gjatë fjalës së tij. Në një moment, Fuga iu drejtua kryetarit të Akademisë me tone të ashpra:

“Mos më ndërpritni, më lini të flas! Këtu ka një asamble që më dëgjon, ju nuk mund të më ndaloni të shpreh mendimet e mia.”

Nga ana tjetër, Skënder Gjinushi kërkoi që kritikat të jenë më konkrete dhe jo të mbeten në nivel teorik.

“Tani vërejtjet bëhen konkrete, nuk bëhen teori. Përndryshe, do marrësh përgjigjen e duhur” – tha Gjinushi.

Pavarësisht ndërhyrjeve, Fuga tha se nuk e miratonte raportin vjetor të Akademisë, për shkak të qasjes së tij jo kritike dhe mungesës së analizës objektive të sfidave të institucionit.

Ky debat vjen në një moment kur Akademia e Shkencave është përballur me kritika mbi mënyrën e funksionimit dhe rolin e saj në zhvillimin e shkencës në vend. Kërkesa për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje më të gjerë të komunitetit akademik janë thelbësore për të garantuar progresin në këtë fushë.

Pjesë nga debati mes tyre në mbledhje:

Fuga: Sot shkenca nuk matet se ç’kërkon si buxhet por çfarë jep dhe si kontribut shoqëror dhe prurje të matshme. Këtu kemi vetëm çfarë harxhojmë dhe çfarë duam. Mendoj se nuk kemi akses në detajet që jepen për projektet dhe më duket e tepërt që qoftë dhe njeriu më i nderuar nga brenda një viti të ketë 7 projekte a 10 projekte me mijëra euro. Po si i realizon?

Gjinushi: Po kush? Po nuk flitet kështu po flet për kolegët. Cili?

Fuga: Ma lë të mbaroj.

Gjinushi: Cili?

Fuga: Unë këtu nuk do përmend emra.

Gjinushi: Vërejtjet bëhen konkrete dhe jo teorira. Megjithatë bëj teorinë dhe do marrës përgjigje.

Fuga: Për disa projekte po të doni ju bëj një raport, ku disa projekte janë të mbifaturuara për mendimin tim, Këto janë vërejtjet e mia.

Gjinushi: Thuaje njërin, thuaje pra. Thuaje pra se derisa po e thua. Mos hidh shashka këtu.

Fuga: Ju lutem ruani etikën.

Gjinushi: Jo jo, shashkat janë shkelja më e rëndë e etikës.

Fuga: Ruani etikën. Më lini të flas. Nuk e di në shqip fjalën shashka, po ma shpjeguat.

Gjinushi: Shashka janë broçkullat.

Fuga: Aha… Po broçkullat çfarë janë?

Gjinushi: Diskursi yt i zakonshëm.

Fuga: Po unë kush jam.

Gjinushi: Ai që të njohin të gjithë.

Fuga: Ju faleminderit z.kryetar. Kjo është etika.

Gjinushi: Ti nuk del për të diskutuar por për të filozufuar. Në mënyrë të çuditshme bën sikur ngre probleme dhe s’je në gjendje të thuash kush është problemi.

Fuga: Faleminderit për kritikën tuaj.

Gjinushi: Etika më e keqe është kur flet kot.

Fuga: Për ju ata që hedhin kritika janë armiq.

Gjinushi: Këto që the nuk janë Kritika, vetëm tregojnë sesa i saktë është raporti.

Fuga: Po mirë dakord, a do e them mendimin tim.

Gjinushi: Ke akoma mendim?

Fuga: Unë mendoj se kam por mendimi i mendimit nuk është mendimi juaj.

Gjinushi: Mendimi i mendimit është budallallëk.

Fuga: Faleminderit, unë nuk hy në atë etikë.

Gjinushi: Tani thuaj dhe një shashkë të fundit.

Fuga: Çfarë është shashka?

Gjinushi: Po ti je filozof, nuk di shashkën ti?

Fuga: Jo. Ta mbaroj. Nëse kryesia do një raport nga unë unë jam gati ta bëj dhe ta qarkulloj. Faleminderit.

Gjinushi: Ditën e mirë!

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja