“Projekti u bë mbi studime të mirëfillta”- Rama për protestën e banorëve të Tragjasit: Burimet janë të Republikës, jo të një komuniteti


Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot serinë e përgjigjeve ndaj komentuesve në programin “Sy m’sy”, duke u ndalur në një prej projekteve më të diskutuar, atë të ujësjellësit të Tragjasit.

Rama ka theksuar se ky projekt është mbështetur në një studim të thelluar hidrologjik dhe përfshin matje të vazhdueshme të prurjeve, duke siguruar përdorimin e drejtë dhe të balancuar të ujit.

Ai shpjegoi se ky projekt është pjesë e një analize të plotë teknike që ka siguruar balancimin e nevojave të mjedisit ekologjik, konsumit dhe vaditjes.

Ai e quajti këtë një proces të nevojshëm për sigurinë e resurseve të ujit për të gjithë qytetarët dhe shtoi se burimet e ujit janë të Republikës së Shqipërisë, duke nënvizuar se nuk ka asnjë dëm për interesat e komunitetit të Tragjasit.

“Diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua. Si ka mundësi të bihet pre e një konfuzioni sepse jam i bindur që pas kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e tragjasiotëve, por përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë, si është e mundur të imagjinohet që një qeveri të marrë ujin që u duhet disave për t’ia dhënë disa të tjerëve.

Këtu është futur brenda edhe kuçedra, oligarkët që marrin ujë për qëllimet e tyre, por nga ana tjetër jam përpjekur ta shpjegoj që ky projekt bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik, janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, analiza për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjesh ka, sa janë ato që i duhen mjedisit ekologjik përfshirë edhe vaditjen, sa janë ato që duhen për konsum, sa ikin në det etj etj. Të gjithë këto aspekte teknike. Mbi bazën e tyre është bërë projekti.

Prurja minimale janë 700 litër për sekondë. Reagimin do ta kuptoja nëse do të bëhej fjalë për një hidrocentral, por bëhet fjalë për një ujësjellës. Burimet nuk janë të një komuniteti apo një tjetri, por të Republikës së Shqipërisë, vihen në interesat e saj pa cënuar interesat e  tyre që kanë të drejtën të kenë akses në burim”, tha ai.