Kreu i PD-së Berisha th se vendimi i kryeministrit Rama për mbylljen e TikTok-ut e rreshton Shqipërinë përkrah Iranit e Somalisë dhe e bën atë njësoj me diktatorin Enver Hoxha i cili bllokonte valët e radiove dhe kanaleve të huaja televizive.
Berisha tha se censura e fjalës së lirë është kritikuar ashpër nga zv.presidenti amerikan Vance në Konferencën e Mynihut ndërsa theksoi se censura do përfundojë në koshin e plehrave të historisë.
“Të pretendosh se po ecën drejt Europës dhe të rreshtosh Shqipërinë me Iranin e Somalinë, bën një akt monstruoz kundër fjalës së lirë, një censurë dhe dëshmon se udhëtimi europian i Shqipërisë është një hipokrizi për ty. Kujtoj këtu se zv presidenti i SHBA Vance, në fjalën e tij në Mynih konsideroi mbylljen e mediave sociale si një antivlerë shumë të rrezikshme për shoqëritë e lira dhe mendimin e lirë. T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTok dëshmon se çfarë arbitrariteti ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha gjatë diktaturës, të cilët valët e radiove perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Akti u mor vetëm falë rrebeshit të kritikave nga rinia. Censura do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë së bashku me Ramën që është kryecensori i shqiptarëve.” – tha Berisha.
Sipas kryedemokratit mbyllja e TikTok-ut në kulmin e fushatës censoron mbi 1 milion përdorues të platformës në Shqipëri.
“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Chapo njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 mln përdoruesve të TikTok në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila sot ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe botë”, mbylli Berisha.