“Rama kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave, do e fitojë bindshëm mandatin e katërt” – Veliaj


Kryebashkiaku Veliaj  tha mbrëmjen e sotme se Edi Rama është kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave në Shqipëri dhe i vetmi që mund të integrojë Shqipërinë në BE e të sigurojë drejtësi të pavarur.

Në një intervistë nga burgu për emisionin “Frontline” në Report Tv, ai e quajti Ramën një mik të rrallë e mentor të çmuar prej 20 vitesh.

Pyetje: A keni pasur komunikim, qoftë edhe shkresor me Edi Ramën? A ishit ju vija e kuqe e Edi Ramës për drejtësinë?

Erion Veliaj: Edi Rama është Kryeministri im, Kryetari im i partisë dhe një mik i rrallë e mentor i çmuar prej 20 vitesh. Nuk kam nevojë t’i çoj pusulla, se shokët e idealit nuk kanë nevojë të koordinohen për vlerat ku besojnë.

Unë besoj tek Edi si Kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave, si i vetmi që mund të ngrejë flamurin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe si i vetmi që mund të sigurojë që drejtësia e re dhe e pavarur të ketë jo vetëm shpatë, por edhe peshore!

Ai ka rrëfyer se ka takuar vetëm bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dy herë po jo të birin. Në intervistën e mundësuar përmes inteligjencës artificiale, Veliaj tha se Shqipëria është një vend që i mallkon ata që punojnë.

Pyetje: Keni pasur mundësi të takoheni me djalin e vogël dhe me bashkëshorten apo nuk ju është lejuar asnjë takim?

Erion Veliaj: Jo, nuk e kam takuar djalin. Nuk ia shpjegoj dot pa lot në sy e ngashërim se ky vend ende i mallkon ata që punojnë, rrëzon ata që ndërtojnë, pengon ata që përpiqen, lufton atë që ndihmon çdo njeri në nevojë!

Dua që ai të rritet në një Tiranë, të ecë në një shesh Skënderbej, të vrapojë te Parku i Liqenit, të luajë te Parku Rinia, të mësojë te Piramida e të ndihet krenar që i ati dha një dorë për qytetin më dinamik në Europë. Nuk i mbaj dot lotët kur më kujtoni djalin, po e le me kaq.

Ajola është lejuar dy herë. Të tjerët asnjë! As drejtuesit fetarë, as kolegët, as miqtë! Shpresoj që Olsi të ndihet burrë i madh dhe trim me këto izolime banale.

Teksa ka komentuar qëndrimin e tij në qeli, Veliaj u shpreh se është më i lirë se denoncuesi i tij Nesti Angoni dhe prokurori i SPAK-ut Olsi Dado se ka 7 apartamente nga lejet e dhëna prej tij.

Pyetje– Si janë 24 orë në qeli?

Erion Veliaj: Një dhomë 2 me 3m, iniciale të shkruara mureve, shule e dryna që trokëllijnë ditë-natë, dhe komunikim me pusulla.

Por, prapë se prapë, jam shumë më i lirë se ata që më sollën këtu. Jam më i lirë se Nesti Angoni, që duhet të ndërrojë emër e të shkojë si skuth në zyra postare me letra anonime.

Më i lirë se Ols Dado që, se ka 5, se ka 7 apartamente nga lejet e mia, burgun e ka në kokë e kurrë s’do ngopet. Më i lirë se portalet e SPAK-ut, që fyejnë reformën në drejtësi, ku nxjerrin çdo material nga dosjet e bëhen palë në padrejtësi. Qofshi mirë, kam mall dhe ju dua shumë!

Arrestimin e tij me urdhër të SPAK, kryebashkiaku Erion Veliaj e sheh si një goditje politike për PS. Me të ose jo, Veliaj u shpreh i bindur se Rama dhe PS do të fitojnë mandatin e katërt.

Pyetje: A është arrestimi juaj me prapavijë politike? Kush ju donte jashtë fushatës së 11 majit?

Erion Veliaj: Dyshoj që SPAK vuan nga një kompleks për të bërë kandarin, ku çdo palë të goditet, dhe asnjë të mos fitojë pastër e drejtë një shumicë të qartë. Kjo është një përpjekje e kotë.

Me ose pa mua në Tiranë, Partia Socialiste dhe Edi Rama do fitojnë bindshëm mandatin për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Do qe në nderin e SPAK të mos futej në politikë, ose si Di Pietro në Itali të bëhej parti politike e të kandidonte. Por, me letra anonime dhe tafmanë e Olsit për m2 po humbet imazhin e mirë që e mbështetën të gjithë.