Nga 1 janari 2025, të vetëpunësuarve të profesioneve të lira që fitojnë 80% të të ardhurave bruto një 1 klient do të kenë detyrimin për deklarimin dhe pagimin e tatimit me normat e të ardhurave nga punësime 13 dhe 23%.
Për këtë kategori tatimi për t’u paguar do të llogaritet për efekt të periudhës tatimore 2025, ndërsa afati i deklarimit është deri në mars 2026.
Ndryshimet e udhëzimit shpërndarë bizneseve përcaktojnë se individi i vetëpunësuar në deklaratën vjetore të biznesit do t’i deklarojë të ardhurat duke plotësuar rubrikën e të ardhurave nga punësimi dhe nuk plotëson rubrikën e të ardhurat nga biznesi.
Rregulli sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vet-punësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar.
Shpenzimet janë të deklaruara ose në rast se të ardhurat vjetore janë deri në 10 mln lekë, i vet-punësuari ka të drejtë të zgjedhë njohjen e shpenzimeve apriori në masën 30%.
“Individi i vetëpunësuar, duke qenë se ka të ardhura vjetore deri në 10,000,000 lekë, ka të drejtë të zgjedhë regjimin e veçantë për njohjen e shpenzimeve të zbritshme.
Ky shpenzim i zbritshëm apriori është 30% për individë te vetëpunësuar. Në rubrikën 28 të deklaratës, konkretisht ky subjekt zgjedh kutizën “Po” për zbritjen apriori të shpenzimeve”, përcaktohet në udhëzim.
Po ashtu do t’i llogariten si zbritje shpenzimesh në vlerën 48 mijë lekë në vit kur individi i punësuar ka një fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe ka të ardhurat vjetore më të larta të tatueshme në familje.
Si dhe t’u njihet zbritja e shpenzimeve të përcaktuara në pikën e të nenit 22 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që përcakton zbritje nga baza tatimore “një shumë prej 360 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë”.
Tatimi për kategorinë e të vetëpunësuarve që sigurojnë 80 apo 90% të të ardhurave bruto nga 1 apo 3 klientë mbeti i pandryshuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e pikës 1 të nenit 69 që vendosi nisjen e tatimit 15% nga 1 janari 2030.
I pandryshuar mbeti edhe tatimi prej 23% për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit.
3.Pika 12.8 ndryshon me përmbajtjen si më poshtë:
“12.8 Nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave të fituara i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave të fituara nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto vjetore të tij (të ardhura të faturuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit), do të aplikohen normat e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (pas zbritjes së shumave sipas neneve 22 dhe 23 të ligjit). P
ër qëllime të zbatimit të kësaj pike, individi i vetëpunësuar llogarit nëse e ardhura plotëson kriteret e parashikuara në germën “ç”, të pikës 1, të nenit 12 dhe, nëse këto të ardhura rezultojnë sipas këtyre kushteve, deklarimi i të ardhurave sipas këtij paragrafi, do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari në deklaratën tatimore vjetore të tij.
Individi i vetëpunësuar në deklaratën vjetore të biznesit do t’i deklarojë të ardhurat duke plotësuar rubrikën e të ardhurave nga punësimi dhe nuk plotëson rubrikën e të ardhurat nga biznesi.
Rregulli sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vet-punësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky paragraf zbatohet pavarësisht nëse i vet-punësuari ofron shërbime i vetëm apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar./Monitor