
Chang Hsien-yi, një nga inxhinierët bërthamorë më të vjetër të Tajvanit, ishte një informator i CIA-s
Në janar 1988, një nga inxhinierët bërthamorë më të vjetër të Tajvanit dezertoi në Shtetet e Bashkuara pasi kaloi inteligjencën kyçe për një program top-sekret që do ndryshonte rrjedhën e historisë së Tajvanit.
Koloneli Chang Hsien-yi ishte një figurë udhëheqëse në projektin e armëve bërthamore të Tajvanit, një sekret i ruajtur ngushtë midis viteve 1960 dhe 1980, ndërsa Taipei u përpoq të zhvillonte bombën e tij të parë bërthamore për të mbajtur ritmin me Kinën.
Ai ishte gjithashtu një informator i CIA-s.
Chang ekspozoi programin sekret bërthamor të Tajvanit për Shtetet e Bashkuara, aleatin e saj më të afërt, duke çuar informacione që përfundimisht e shtynë SHBA-në të ushtronte presion ndaj Tajvanit për mbylljen e programit, i cili sipas ekspertëve ishte afër suksesit.
Ndërsa kritikët thonë se ai tradhtoi atdheun dhe minoi aftësinë e Taipeit për të penguar një pushtim të mundshëm kinez, Chang i tha CNN në një intervistë të rrallë se ai ende beson se bëri lëvizjen e duhur.
“Nuk ka asnjë tradhti,” i tha ai CNN nga shtëpia e tij në Idaho, ku u vendos me familjen e tij.
“Vendosa t’i jap informacion CIA-s sepse mendoj se ishte mirë për popullin e Tajvanit,” tha 81-vjeçari. “Po, ka pasur një luftë politike midis Kinës dhe Tajvanit, por zhvillimi i çdo lloj arme vdekjeprurëse ishte marrëzi për mua.”
Historia e Chang-ut ka ngjashmëri me atë të Mordechai Vanunu, informatorit izraelit që ekspozoi në mënyrë të famshme programin bërthamor klandestin të vendit të tij në botë. Por ndërsa Vanunu doli publikisht me përparimin e vendit të tij, historia e Chang-ut u bë në fshehtësi dhe pa asnjë bujë.
Ambiciet bërthamore të Tajvanit
Në vitin 1964, vetëm 15 vjet pasi lufta civile kineze përfundoi me fitoren komuniste, duke lënë nacionalistët e Chiang Kai-shek të kontrollonin vetëm Tajvanin, Pekini testoi me sukses një armë bërthamore – duke shqetësuar thellësisht qeverinë në Taipei, e cila kishte frikë se një ditë mund të përdorej kundër ishullit.
Dy vjet më vonë, Chiang nisi një projekt klandestin për të hedhur bazat teknike për zhvillimin e armëve bërthamore gjatë shtatë viteve të ardhshme. Instituti i Kërkimeve Shkencore Chungshan drejtoi projektin nën Ministrinë e Mbrojtjes dhe aty Chang filloi të punonte si kapiten ushtrie një vit më vonë.
Ai u zgjodh për trajnim të përparuar bërthamore, i cili do përfshinte qëndrim edhe në SHBA. Pasi studioi fizikën dhe shkencën bërthamore në Tajvan, ai ndoqi Laboratorin Kombëtar Oak Ridge në Tenesi.
Pavarësisht deklaratave zyrtare të Taipeit se kërkimi i tij bërthamor ishte vetëm për qëllime paqësore, Chang tha se studentët e dërguar në SHBA ishin të gjithë të vetëdijshëm për misionin e tyre të vërtetë: të mësuarit e aftësive për zhvillimin e armëve.
“Ne e dimë saktësisht – edhe pse nuk është në deklaratën me shkrim – ne e dimë se çfarë do bëjmë, në çfarë lloj fushe duhet të përqendrohemi,” tha Chang.
“Ne ishim disi të emocionuar dhe po përpiqeshim ta përfundonim punën me sukses,” shtoi ai.
“Gjithçka që bëmë ishte përqendrimi në fushën që na caktuan, bëmë të gjitha përpjekjet për ta bërë këtë, për të mësuar sa më shumë që të ishte e mundur.”
Ndërsa ai ishte në Oak Ridge, kujton Chang, CIA tashmë kishte treguar interes për të.
“Në vitin 1969 apo 1970, m’u kujtua se mora një telefonatë,” tha ai. Telefonuesi tha se ishte “me një kompani dhe ata janë të interesuar në biznesin e energjisë bërthamore…ata më ftuan për drekë”.
“Në atë kohë, thashë se nuk kisha interes sepse kisha një detyrë të orientuar drejt misionit. Por nuk e dija se ishte nga CIA; Këtë e mora vesh vetëm pas shumë vitesh.”

Chiang Kai-shek fillimisht nisi një projekt për të hedhur bazat për zhvillimin e armëve bërthamore në vitet 1960
Dyshimet amerikane
Në 1977, një vit pasi mori një doktoraturë në inxhinieri bërthamore nga Universiteti i Tenesit në Knoxville, Chang u kthye në Tajvan. Ai u promovua në nënKolonel dhe udhëhoqi zhvillimin e kodeve kompjuterike për simulimin e shpërthimeve bërthamore në Institutin e Kërkimeve të Energjisë Bërthamore (INER), një laborator kombëtar që avanconte fshehurazi zhvillimin e armëve nën pretendimet civile.
Udhëheqësit tajvanezë u përballën me një akt delikat ekuilibrues: Shtetet e Bashkuara kundërshtuan fuqishëm programet e reja të armëve bërthamore kudo në botë dhe Taipei nuk mund të përballonte të tjetërsonte aleatin e tij më të rëndësishëm. Shtetet e Bashkuara janë mbështetur prej kohësh në parandalimin bërthamor si pjesë e strategjisë së saj më të gjerë për të kundërshtuar grumbullimin e armëve bërthamore të Kinës. Por, nën një politikë të mospërhapjes, ajo kundërshton çdo vend që po zhvillon armë bërthamore.
Në atë kohë, Tajvani nuk ishte demokracia e pasur dhe e gjallë që është sot. Ishte një ekonomi në zhvillim nën sundimin autokratik të Partisë Nacionaliste Kineze, ose Kuomintang. Ai regjim vazhdoi të mbante një vend në Kombet e Bashkuara deri në vitin 1971 dhe mbajti marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shtetet e Bashkuara deri në 1979.
Për të minimizuar rrezikun e ekspozimit të ambicieve të tij bërthamore, ishulli u përpoq të krijonte fshehurazi aftësinë për të prodhuar shpejt armë bërthamore në çdo kohë, por jo të ndërtonte një rezervë.
Por rreziku i një shpërthimi bërthamor rëndonte mbi Chang. Udhëheqësi kinez Deng Xiaoping, i cili mori pushtetin në vitin 1978, paralajmëroi se nëse Tajvani ndërtonte armë bërthamore, Kina do përgjigjej me forcë.
“Unë mendova se ata janë mjaft seriozë,” shtoi Chang. “Unë besova në këtë.”
“Unë nuk doja të kishte ndonjë konflikt me Kinën kontinentale në asnjë mënyrë,” tha ai.
“Përdorimi i çdo lloj arme vdekjeprurëse kimike apo bërthamore…është i pakuptimtë për mua. Unë besoj se ne jemi të gjithë kinezë dhe kjo nuk ka kuptim.”
Kështu, kur agjentët e CIA-s iu afruan sërish Chang-ut gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1980, ai pranoi të fliste.
“Ata thanë, “Ne ju njohim dhe jemi të interesuar për ju” dhe patëm një bisedë,” tha Chang, duke shtuar se amerikanët e kaluan atë në një test “shumë rigoroz” të detektorit të gënjeshtrës për të siguruar që ai nuk ishte një agjent i dyfishtë. Ai ndihmoi CIA-n me disa detyra ad hoc përpara se të bëhej informator në 1984.

Chang në shtëpinë e tij të mëparshme në Tajvan në 1979 me vajzën e tij, Ann
Për katër vitet e ardhshme, një oficer i çështjes së CIA-s, i identifikuar vetëm si “Marku”, takohej me Chang-un çdo disa muaj në baza përreth Taipeit, duke përfshirë një apartament pranë Tregut të Natës Shilin – një nga destinacionet më të famshme të ushqimit në rrugë.
Në ato takime, CIA i kërkoi atij të vërtetonte inteligjencën që pretendonte, të ndante informacione rreth projekteve të fundit në INER dhe të fotografonte dokumente të fshehta.
“Të gjitha ato biseda ishin mjaft profesionale. Ai merrte një laps dhe fletore për të shkruar përgjigjet e mia,” tha Chang.
“Ai vijoi të thoshte se ata do bëjnë më të mirën për të më mbajtur mua dhe familjen time të sigurt.”
Fatkeqësia e Çernobilit në vitin 1986, një aksident katastrofik bërthamor në Ukrainë që ekspozoi qindra mijëra njerëz ndaj rrezatimit të dëmshëm, forcoi bindjen e Chang-ut se ndalimi i programit të armëve bërthamore të Tajvanit ishte i domosdoshëm.
Në të njëjtin vit, Vanunu ekspozoi publikisht hollësi të programit bërthamor klandestin të Izraelit, duke ia dhënë atë mediave britanike dhe duke shkaktuar një sensacion ndërkombëtar. Më vonë ai u rrëmbye nga agjentët e Mossad-it, u kthye në Izrael dhe u ndoq penalisht, duke kaluar vite në burg.
Një kapitull i ri i jetës
Jeta e Chang – dhe ajo e gruas dhe tre fëmijëve të tij – mori një kthesë dramatike në janar 1988, kur CIA mori ata në SHBA.
Në atë kohë, administrata e presidentit Ronald Reagan kishte mbledhur prova të mjaftueshme dhe kishte shfrytëzuar mundësinë e krijuar nga vdekja e Presidentit Chiang Ching-kuo – djali i Chiang Kai-shek – për t’i bërë presion pasardhësin e tij reformist Lee Teng-hui për bashkëpunim.
Albright, eksperti dhe autori, tha se Chang ishte informatori më i rëndësishëm në ndihmën e Uashingtonit për mbylljen e programit tajvanez.
“Shtetet e Bashkuara kishin qenë në një lojë macja me miun me Tajvanin për programin e tij bërthamor për vite me radhë,” tha ai.
“Chang vërtet u sigurua që SHBA-ja të kishte prova të forta që Tajvani nuk mund t’i mohonte… dhe të përballej drejtpërdrejt me tajvanezët”.
Në muajt pas largimit të Chang, SHBA dërgoi specialistë për të çmontuar një fabrikë të ndarjes së plutoniumit – një strukturë e projektuar për të nxjerrë materiale bërthamore për prodhimin e armëve. Ekipi gjithashtu mbikëqyri heqjen e ujit të rëndë, një lëndë që përdoret si ftohës në reaktorët bërthamorë dhe karburantit të rrezatuar, karburant bërthamor që mund të ripërpunohet për të nxjerrë materiale për armët bërthamore.
Chang u shpall person në kërkim në Tajvan. Urdhri i arrestit skadoi në vitin 2000, por ai nuk është kthyer më në ishull, duke thënë për CNN se nuk ishte i sigurt se si do pritej. Zyra presidenciale e Tajvanit dhe Ministria e Mbrojtjes nuk pranuan të komentojnë kur u kontaktuan nga CNN.
Hero apo tradhtar?
Deri më sot, vendimi i Chang-ut për të punuar me CIA-n ka mbetur i diskutueshëm në Tajvan, i cili në vitet e ndërmjetme ka vijuar zgjerimin e tij masiv industrial dhe ekonomik, duke u bërë një demokraci e plotë në vitet 1990.
Por armiqësitë ndërmjet ngushticës vazhdojnë. Taipei është vënë nën presionin ushtarak në rritje nga Kina, e cila tani ka ushtrinë më të madhe në botë dhe po bëhet më e sigurt në pretendimet e saj territoriale ndaj Tajvanit. Partia Komuniste Kineze është zotuar të marrë Tajvanin me forcë nëse është e nevojshme, pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë.
Pekini është më lart ushtrisë së Tajvanit, duke shpenzuar rreth 13 herë më shumë në mbrojtje. Disa kanë argumentuar se nëse Tajvani do kishte fituar me sukses armë bërthamore, ajo mund të kishte shërbyer si një parandalues – duke paralelizuar Ukrainën, ku Rusia mund të mos e kishte pushtuar nëse Kievi do kishte ruajtur arsenalin bërthamor të epokës sovjetike në vend që të hiqte dorë prej tij.

Chang bën pazar me gruan e tij në Uashington DC pas largimit të tij nga Tajvani
Disa tajvanezë e kanë kritikuar Chang, duke thënë se ai ka kapërcyer kufijtë duke vendosur në mënyrë të njëanshme se ishulli është më mirë pa një armë bërthamore.
“Unë besoj se ai është një tradhtar,” tha Alexander Huang, një profesor i asociuar në studimet strategjike në Universitetin Tamkang, sepse armët “do shiheshin si një mjet i dobishëm në pazaret për një rezultat më të mirë diplomatik” me Pekinin.
Por Su Tzu-yun, drejtor i Institutit të Tajvanit për Kërkimin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë, tha se mungesa e një arme bërthamore nuk ka ndikuar shumë në aftësitë moderne të mbrojtjes së Tajvanit, sepse municionet e sakta mund të përdoren për të arritur objektiva të ngjashëm me ato të armëve bërthamore taktike.
“Qeveria tajvaneze në atë kohë mendonte se nëse Kina zbarkonte në Tajvan, mund të përdorte armë taktike bërthamore për të eliminuar trupat zbarkuese,” tha ai.
“Por në mungesë të tyre, ne gjithashtu mund të përdorim armë precize si raketa për t’i zëvendësuar ato.”
Tajvani i blen këto armë nga SHBA-ja, e cila pavarësisht mbylljes së programit bërthamor, mbetet partneri kryesor i saj ushtarak, duke furnizuar municione, stërvijtje dhe sisteme mbrojtëse.
Përveç armatimit, ishulli ka atë që disa e konsiderojnë një parandalues më efektiv se bombat bërthamore. Në vitin 1987 – vetëm një vit para mbylljes së programit bërthamor – sipërmarrësi i teknologjisë Morris Chang themeloi Kompaninë e Prodhimit të Gjysëmpërçuesve Taiëan (TSMC), e cila tani prodhon rreth 90% të çipave gjysmëpërçues super të përparuar në botë për kompanitë e teknologjisë, duke përfshirë Apple dhe Nvidia.
Roli integral i ishullit në zinxhirin global të furnizimit të gjysmëpërçuesve, thonë disa vëzhgues, do mjaftonte për të penguar Kinën nga nisja e një pushtimi, duke formuar atë që quhet “Mburoja e Silikonit”.
Albright, e cila kreu kërkime të gjera në programin tajvanez, tha gjithashtu se suksesi i tij nuk do kishte qenë i dobishëm për Tajvanin.
“Unë mendoj se kjo do kishte rritur rrezikun ushtarak të një sulmi kinez,” tha ai, ndërsa Uashingtoni mund të ishte përgjigjur gjithashtu duke “ulur angazhimin e tij të sigurisë ose duke kufizuar ndihmën ushtarake” pasi të njiheshin aftësitë e Tajvanit.
Sa për Chang Hsien-yi, i cili u bë i krishterë dhe i pëlqente të luante golf në kohën e lirë, përveç punës me kohë të pjesshme në një firmë këshilluese për sigurinë bërthamore, vendimi që ai mori katër dekada më parë ishte i saktë.
“Ndoshta kjo është e mirë për popullin tajvanez. Të paktën ne nuk e provokuam Kinën kontinentale në një mënyrë të tillë sa për të filluar një luftë agresive kundër Tajvanit,” tha Chang.
“E bëra me ndërgjegje të pastër, nuk ka asnjë tradhti, të paktën unë s’e ka bërë një të tillë as ndaj vendit as ndaj vetes sime.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani