Tabaku: Shqipëria me pagat më të ulëta në rajon, PD propozon zgjidhjen


 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar situatën alarmante ekonomike në Shqipëri, ku çdo shqiptar paguhet mesatarisht vetëm 2.47 euro për orë, duke e bërë Shqipërinë vendin me pagat më të ulëta në rajon.

Duke ngritur shqetësimin për këtë gjendje të papranueshme, Tabaku shprehet:

“Është e pakuptueshme dhe e padrejtë që një shqiptar paguhet sa gjysma e një qytetari në Mal të Zi, ndërkohë që punon nga mëngjesi deri në darkë. Fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajon dhe kjo duhet të ndryshojë urgjentisht.”

Në reagimin e saj, Tabaku ka propozuar një zgjidhje të qartë dhe konkrete ekonomike, duke nënvizuar nevojën për aplikimin e taksës së sheshtë prej 10%, e cila sipas saj “i kthen dinjitetin dhe vlerën punës, duke bërë Shqipërinë konkurruese në rajon”.

Ajo shtoi më tej se “çlirimi i tregjeve nga monopoli dhe oligopolet, si dhe heqja e barrave të larta fiskale, do të ndikonte menjëherë në uljen e çmimeve dhe përmirësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve shqiptarë.”

Tabaku kritikoi qeverinë duke thënë:

 “Ekonomia është shumë e thjeshtë, ajo që ka munguar është vullneti politik dhe dëshira reale për reforma ekonomike që i shërbejnë shumicës së qytetarëve.”

 Sipas saj, “Partia Demokratike ofron një program ekonomik që synon të krijojë një ekonomi për shumicën, duke dhënë fund politikave preferenciale që kanë favorizuar vetëm një pakicë.”