Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me mësuesit në Kamzë, gjatë së cilit ka vënë theksin te rëndësia e arsimit dhe roli i patjetërsueshëm i mësuesve në shoqëri. Gjatë fjalës së tij, ai ka kujtuar periudhën kur ishte në pushtet, duke theksuar se qeveria e drejtuar prej tij i kishte dhënë arsimit një rëndësi të veçantë dhe kishte rritur pagat e mësuesve më shumë se çdo kategori tjetër.
Berisha u shpreh se mësuesit kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së politikave të tij dhe se gjatë qeverisjes së tij janë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe të mirëqenies së tyre. Ai tha se arsimi është themeli i një shoqërie të zhvilluar dhe për këtë arsye, qeverisja e tij kishte prioritet investimin në këtë sektor.
“Dhe të gjitha këto së bashku bënë të mundur disa arritje shumë të rëndësishme. U bë e mundur që nga 68% që ishte përqindja e nxënësve që kalonin nga shkolla 9-vjeçare në shkollën e mesme, të arrihet në 90% dhe jo me detyrim, por me mirëorganizim dhe investime. U bë e mundur që Shqipëria nga 12 studentë që kishte për 1 mijë banorë, në një kohë kur mesatarja Europiane ishte 43 studentë, të kalonte në 50 studentë për 1 mijë banorë. U bë e mundur një ngjitje vertikale në testin e PIZA-s. Pra, u shënuan arritjet e para serioze, u shumuan programet me qindra”, u shpreh Berisha.
Duke analizuar situatën aktuale të arsimit në Shqipëri, kreu i PD tha se nga një ngjitje vertikale që pati në vitet 2007-2014, pësoi një rënie dramatike vertikale, një rënie me 69 pikë në njërën prej shkencave më themelore të njeriut dhe njerëzimit, që është matematika.
“Këto tregues nuk janë rastësor. Këto tregues janë dëshmi e një rrokullisje të madhe të sistemit të arsimit në këto vite të narkodiktaturës, të narkoshtetit”, tha Berisha.
Berisha rikujtoi se në vitet 2005-2013 gjatë atyre dy mandateve, u rindërtuan mbi 1300 shkolla, kopshte dhe në Kamzë, nga 3 apo 4 turne u kalua në mësimdhënie normale.
Në Kamzë dhe Shqipëri, sipas tij, interneti dhe kompjuteri që ishte mollë e ndaluar, u vu në dispozicion të nxënësve në të gjitha shkollat e vendit. Nga 48 shkolla që ishin në vitin 2005 me internet dhe laborator informatike, me 940 kompjutera gjithsej, 24500 kompjuter u ndanë në të gjitha shkollat e vendit.