Mitsotakis rrezikon mocion mosbesimi për katastrofën hekurudhore që ka 57 viktima


Debati treditor për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, i paraqitur nga PASOK, SYRIZA, E Majta e Re, Kursi i Lirisë dhe 9 deputetë të pavarur, do kulmojë mbrëmjen e së premtes me fjalët përmbyllëse të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, krerëve të opozitës dhe votimit në Parlament.

Partitë opozitare paraqitën mocionin lidhur me trajtimin që qeveria e Mitsotakis i ka bërë katastrofës hekurudhore në Tempe të vitit 2023 që mori 57 jetë.

Procedurat nisën në orën 9 të mëngjesit, duke filluar me fjalimin e deputetëve. Më vonë, përfaqësuesit parlamentarë të partive do mbajnë fjalime ndërsa kryeministri do jetë ai që do përmbyllë debatin duke folur i fundit.

Rreth orës 21:00 do mbahet votimi duke përdorur sistemin elektronik.

Për t’u miratuar nga Dhoma, mocioni duhet të marrë shumicën absolute të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra 151 vota, shkruan Ekathimerini.

Kur një mocion mosbesimi hidhet poshtë, një mocion tjetër nuk mund të paraqitet edhe për gjashtë muaj të tjerë, përveç nëse nënshkruhet nga shumica absolute e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Policia në Athinë ka urdhëruar mbylljen e stacioneve të metrosë Syntagma dhe Panepistimio nga e premtja në orën 10:00 deri në njoftimin e mëtejshëm për shkak të tubimeve të planifikuara për katastrofën hekurudhore Tempe. Studentët kanë planifikuar një tubim jashtë Universitetit të Athinës në orën 12 të mesditës, ndërsa sindikatat do zhvillojnë një tjetër demonstratë jashtë parlamentit pasdite.