Ndërsa jashtë parlamentit qytetarë të shumtë po protestonin duke u përplasur me policinë e duke hedhur bomba Molotov, brenda qeveria e kryeministrit Mitsotakis i mbijetoi mocionit të mosbesimit lidhur me katastrofën hekurudhore me 57 viktima vitin e shkuar.
Përleshjet shpërthyen në dy qytetet më të mëdha të Greqisë të premten vonë, ndërsa protestuesit hodhën bomba Molotov dhe fishekzjarre jashtë parlamentit, gjatë një debati parlamentar mbi trajtimin e qeverisë të katastrofës së rëndë.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe granata trullosëse ndaj protestuesve të dhunshëm dhe përdori makina ujëhedhëse kur përleshjet shpërthyen pak çaste pasi kryeministri Kyriakos Mitsotakis të niste të fliste në fund të debatit treditor, shkruan WP.
Qeveria e qendrës së djathtë të Mitsotakis u përball me një mocion mosbesimi për përplasjen e trenave në vitin 2023, që vrau 57 njerëz dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Demonstratat e së premtes, raundi i tretë i protestave mbarëkombëtare të mbajtura brenda një jave, pasojnë përvjetorin e dytë të përplasjes së 28 shkurtit 2023 në Tempe në Greqinë veriore.
Në një shfaqje të rrallë bashkimi, katër parti opozitare të qendrës së majtë dhe të majtët paraqitën mocionin e mosbesimit, duke argumentuar se qeveria nuk ka pranuar përgjegjësinë për dështimet e shumta të sistemit të sigurisë hekurudhore të identifikuara nga hetuesit.
“Ju doni të fshihni përgjegjësinë penale të qeverisë për tragjedinë e Tempes,” u tha ligjvënësve kreu i opozitës socialiste, Nikos Androulakis, duke iu drejtuar kryeministrit.
“Asnjë qytetar grek nuk do ta falë sjelljen tuaj të papranueshme”.
Votimi parlamentar, i planifikuar për të premten më vonë, nuk pritet të kërcënojë qeverinë, e cila ka 156 deputetë në parlamentin prej 300 vendesh.
Megjithë zemërimin e përhapur të publikut për katastrofën hekurudhore në Tempe, opozita e copëzuar nuk ka mundur të përfitojë nga pakënaqësia.
Kryeministri Mitsotakis akuzoi kundërshtarët e tij politikë se kishin krijuar një marifet politik, duke shtuar: “Kur vizitova skenën e aksidentit ishte çasti më i vështirë i jetës sime”.
Të afërmit e viktimave të aksidentit morën pjesë në tubimet protestuese të së premtes, duke shprehur publikisht mirënjohjen për demonstruesit.