SHBA hedh poshtë planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës


Një propozim egjiptian për rindërtimin e Gazës, i cili u mbështet nga krerët e vendeve arabe, nuk i përmbush pritshmëritë e administratës Trump për mënyrën se si duhet të rindërtohet enklava palestineze, sipas Departamentit të Shtetit.

Presidenti egjiptian Abdel-Fattah El-Sisi propozoi planin si një alternativë ndaj idesë së diskutueshme të presidentit Trump që SHBA-ja të marrë kontrollin e zonës së shkatërruar nga lufta dhe ta rindërtojë atë si “Riviera e Lindjes së Mesme” pas dëbimit të popullsisë së saj palestineze, shkruan Bloomberg.

Ndërsa idetë e reja nga rajoni për paqen afatgjatë janë të mirëseardhura, plani egjiptian “nuk përmbush kërkesat, natyrën e asaj që kërkonte Presidenti Trump”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, në një konferencë të enjten, pa dhënë hollësi.

Bruce tha veçmas se “Hamasi nuk duhet të jetë në pushtet” – një kusht i kërkuar nga Uashingtoni dhe Izraeli si pjesë e një armëpushimi afatgjatë – dhe se “për sa kohë që ata janë një faktor në Gaza dhe ekzistojnë, nuk ka rrugë përpara”. Hamasi, i cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, e ka mirëpritur propozimin egjiptian.

Plani egjiptian, i cili u miratua këtë javë nga Liga Arabe, përfshin strehim të përkohshëm brenda Gazës për 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur gjatë rindërtimit, i cili vlerësohet të kushtojë rreth 50 miliardë dollarë.

Rripi i Gazës, shtëpia e rreth 2 milionë palestinezëve, është shkatërruar nga lufta që u shkaktua më 7 tetor 2023, nga një sulm i Hamasit që vrau rreth 1,200 izraelitë dhe mori peng rreth 250. Më shumë se 48,000 palestinezë janë vrarë që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.