Policia e Krujës ka zbardhur autorin e shpërthimit me lëndë plasëse në murin rrethues të një dyqani në Fushë Krujë, ngjarje e ndodhur më 5 mars 2025.
Si autor i dyshuar u identifikua shtetasi K. C., 26 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua automjeti që ai përdori gjatë kryerjes së krimit.
Njoftimi:
Krujë
Zbardhet autorësia e vënies së një sasie lënde plasëse, në murin rrethues të një biznesi në Fushë Krujë, 2 ditë më parë.
Shpallet në kërkim autori i dyshuar. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti me të cilin ky shtetas lëvizi gjatë kryerjes së krimit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas njoftimit të shtetasit D. M., se gjatë natës së datës 05.03.2025, në murin rrethues të dyqanit të tij, në Fushë Krujë, kishte shpërthyer lëndë plasëse, që kishte shkaktuar dëme të vogla materiale, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit K. C., 26 vjeç, banues në Krujë.
Në vijim të veprimeve procedurale, 26-vjeçari u shpall në kërkim, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe ndalimin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.