Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar në një deklaratë të sotme se Donald Trump ka nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, përcjell The Telegraph.
Gjatë një takimi me liderët evropianë, ajo tha se vendet anëtare kishin rënë dakord të lehtësonin rregullat fiskale për të rritur shpenzimet në mbrojtje, një masë e nxitur nga presioni i Trump.
“Ne të gjithë duam një paqe përmes forcës, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo është gjithashtu në interes të presidentit Trump që të arrijë një paqe përmes forcës”, tha Von der Leyen.
Ajo nënvizoi se një përpjekje e tillë për paqe mund të realizohet vetëm me mbështetjen e BE-së dhe shteteve të tij anëtare.
Von der Leyen shtoi se BE-ja ka pasur një rol kyç në mbijetesën ekonomike të Ukrainës, duke siguruar fonde për vitin 2025 dhe duke investuar në industrinë e saj të mbrojtjes.
“Ne jemi ata që tani investojmë shumë në industrinë e mbrojtjes ukrainase dhe po ofrojmë kapacitete ushtarake që i duhen Ukrainës”, theksoi ajo.