Vota e diasporës, nga kërkesa e parë te aplikuesi më i vjetër, rreth 250 mijë emigrantë do të marrin pjesë në zgjedhje


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë detaje mbi procesin e regjistrimit në PER, i cili u zhvillua nga 11 janari deri më 4 mars.

Aplikimi i parë erdhi nga një shtetas në Gjermani, vetëm 8 minuta pas mesnatës së nisjes së procesit. Ndërsa aplikuesi më i vjetër ishte 98 vjeç, po ashtu nga Gjermania.

Numrin më të lartë të kërkesave të miratuara e kryeson Italia me 91,223 regjistrime, e ndjekur nga Greqia (68,223), Gjermania (25,499), SHBA (20,653) dhe Britania e Madhe (17,227). Meshkujt përbëjnë shumicën e aplikuesve, me 212,982 regjistrime, ndërsa femrat 152,184.

Në një konferencë për media ai ka sqaruar se faza e dërgimit të fletëve të votimit pritet të ketë përfunduar deri më 16 prill, ndërsa u ndal edhe tek përzgjedhja e operatorit që do të përzgjidhet për të kryer transportin e fletës së votimi.

“Midis fundit të javës së parë të prillit dhe javës së dytë të prillit do të nisë dërgimi i fletëve.

Deri në 16 prill mendohet që të ketë përfunduar si proces dërgimi i fletëve pranë qytetarëve të regjistruar.

Deri në fund të javës tjetër do të kemi përfunduar procedurat për zgjedhjen e operatorit postar, do të jetë një operator i njohur ndërkombëtar dhe do të kërkojmë që kthimi i fletës të jetë ekspres dhe normalisht edhe i gjurmueshëm.

Posta shqiptare është përjashtuar edhe nga ligji”, ka deklaruar ai.

Sipas Celibashit, gjithë procesi përllogaritet të kushtojë rreth 7.5 milionë euro, pasi qeveria vendosi të paguajë për postën në marrjen dhe dërgimin e zarfit me fletën e votimit nga emigrantët.

Kjo është hera e parë që diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të votojë pa ardhur në Shqipëri.

Sipas faqes zyrtare të KQZ 245.975 emigrantë shqiptarë do të mund të votojnë për zgjedhjet e 11 majit pas aprovimit të kërkesës së tyre.

 

 

Nga ana tjetër mbi 48 mijë emigrantëve të tjerë u është refuzuar kërkesa që kanë bërë për regjistrim.