Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se me fitoren e PD në 11 maj, qeveria e ardhshme do të gjurmojë paratë dhe pasuritë e zyrtarëve aktualë, duke përfshirë tri mandatet e Edi Ramës në pushtet.
Berisha, gjatë komunikimit online me ndjekësit në rrjetet sociale, tha ndër të tjera se “shqiptarëve do t’u kthehen pasuritë që kanë vjedhur rilindasit gjatë 12 vite qeverisje të Edi Ramës”.
Pjesë nga bashkëbisedimi
Pyetje: A do të sekuestrohen pas 11 majit pasuritë marramendësve të rilindësve që kanë vënë nga taksat e shqiptarëve?
Sali Berisha: Nën tokë dhe mbi tokë, “off shore” dhe “on shore” kudo që të ndodhen. Do të ketë një audit të përgjithshëm dhe ato do t’u kthehen qytetarëve shqiptarë.
Gjithashtu, kryedemokrati kishte një mesazh edhe për të ashtuquajturit “patronazhistë”, duke i paralajmëruar ata se krimi elektoral do të jetë krimi më i ndëshkuar.
“Që të gjithë ata të cilët ushtrojnë veprimtarinë në shkelje të ligjeve të vendit, do bëhet një audit dhe një audit shumë i fortë. Patronazhistët duhet ta kenë të qartë se krimi elektoral do jetë krimi më i ndëshkuar. Prandaj t’i qëndrojnë ligjit, të zbatojnë ligjin, të mos bëhen pjesë e krimit të madh kushtetues me të cilin kërkojnë të shndërrojnë zgjedhjet në farsë elektorale”, tha më tej Berisha.