Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar disa nga prioritetet e tij për 100 ditët e para të qeverisjes, duke premtuar masa konkrete për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se krahas “paketës së dhembshurisë”, e cila synon nxjerrjen e vendit nga varfëria ekstreme, do të krijohet një kuadër ligjor që garanton klimën më miqësore për biznesin që ka ekzistuar ndonjëherë.
Ai e cilësoi “Made in Albania” si krenarinë kombëtare dhe theksoi se bizneset dhe sipërmarrësit njohin mirë potencialet dhe burimet minerare të Shqipërisë.
Masat kryesore të planit ekonomik të Berishës përfshijnë: Taksa e sheshtë për bizneset, uljen e çmimit të energjisë në 6 lekë për kilovat, nxitjen e investimeve në energjinë diellore dhe ujore, tërheqjen e kompanive të huaja për eksplorimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e mineraleve, zhvillimin e inteligjencës artificiale, kriptomonedhave dhe teknologjisë së internetit 3.0.
Berisha premtoi se brenda tre muajve të parë do të hidhen baza të forta ligjore për të realizuar këto projekte madhore dhe shprehu besimin se investitorët ndërkombëtarë, përfshirë ata amerikanë, do të vijnë me interes për të investuar në Shqipëri.
“100 ditët e para do të instalohet krahas paketës së dhembshurisë me të cilën nxjerrim Shqipërinë nga varfëria ekstreme, do të instalohet kuadri ligjor për krijimin e klimës më miqësore për biznesin që ka ekzistuar ndonjëherë. Ne e shpallëm, Made in Albania do të jetë krenaria jonë kombëtare. Biznesi dhe sipërmarrësi i njeh shumë mirë potencialet dhe mineralet e këtij vendi. Do të jetë paketa fiskale me taksën e sheshtë, do të ulet çmimi i energjisë në 6 lekë për kilovat, pra pjesëtim me tre, do të jetë nxitja e madhe e projekteve madhështore në fushën e energjisë solare, energjisë diellore, energjisë ujore. Do të jetë tërheqja e kompanive të mëdha të eksplorimit, shfrytëzimit, përpunimit të mineraleve në Shqipëri. Do të jetë Shqipëria e inteligjencës artificiale, e kriptomonedhave, e internet 3. Tre muajt e parë hedhim baza të forta ligjore për të gjitha këto projekte. Kam bindje se ju dhe kolegët tuaj amerikanë do të vijnë me kënaqësi të investojnë në Shqipëri”-deklaroi Berisha.