Çfarë sjell teatri këtë pranverë?


Muaji mars sjell një kalendar të mbushur me shfaqje dhe aktivitete artistike në skenat kryesore të Tiranës. 

Teatri Kombëtar rikthen shfaqjen e suksesshme “Faust”, me regji të Davide Iodice. Pranvera vjen në teatër edhe me disa shfaqje të tjera, si “Karnavalet e Korçës” me regji të Erion Isait, “15 ditë prilli” me regji të Driada Dervishit, “12 burra të zemëruar” me regji të Albert Mingës, “Kërkohet një tenor” me regji të Armand Borës, dhe “Ferma e Kafshëve” po nga Driada Dervishi.

Edhe Teatri Kombëtar Eksperimental sjell për publikun një sërë shfaqjesh këtë pranverë, ndër të cilat “Rrëfimet e kohës” me koreografi të Anna Possarnig, “Gruaja e burrit tim” me regji Kiço London, “Vrasje në vjeshtë” me regji të Stefan Çapalikut, si dhe shfaqja për fëmijë “Flokarta dhe tre arinjtë” me regji dhe koreografi të Semela Skënderasit.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e nis pranverën me konkursin e parë ndërkombëtar për pianistët e rinj “J’adore Chopin”, për të vazhduar më tej me një koncert nga Ansambli Popullor, koncertin instrumental-simfonik “Bota e Re” dhe operën “Karnavalet”. Këtë vit, teatri sjell edhe një koncert nga Kosova.

Teatri Metropol ofron për publikun shfaqjen “Engjëjt” me regji të Naser Shatrollit dhe “Probleme me pijen” me regji të Aldi Hysotoçit. 

Pranvera vjen e larmishme në teatrin shqiptar. Publiku është i ftuar të marrë pjesë e të shijojë aktivitetet kulturore e artistike të sezonit.