Debati për mbylljen e TikTok-ut: Berisha bën thirrje për bojkot, Rama ironizon


Në vijim të debatit mbi mbylljen e mundshme të TikTok-ut, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për bojkot të mësimit ditën e hënë. Sipas tij, ky është një akt kundërshtimi ndaj qeverisë dhe një mënyrë për të mbrojtur lirinë e fjalës në internet.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi ndaj kësaj thirrjeje, duke e cilësuar si të papranueshme që fëmijët të mbahen larg shkollave për arsye politike.

“Nëse burrat duan të protestojnë, mbajini në shtëpi, por fëmijët nuk kanë pse të paguajnë për këtë”, u shpreh Rama.

“U ftuan fëmijët të mos shkojnë në shkollë e të protestojnë pse do të mbyllet TikTok-u. Kjo është një mënyrë që nuk ka nevojë për asnjë koment dhe argumentim, por që u thotë të gjitha nënave nëse janë socialiste apo demokrate, se nga çfarë duhet të ruhen më 11 maj dhe çfarë duhet të kenë parasysh. Në 11 maj kush voton duhet të ketë parasysh që ka në dorë të mbështesë Shqipërinë për të mos humbur asnjë ditë nga negociatat me BE-në. Thirrja e djeshme, tregon sa rreziqe të tjera mund të presim nga një mendje e ikur për terital. Kam një thirrje për gratë demokrate: Burrat mbajini në shtëpi në 11 maj, jo fëmijët pa shkollë”, tha ndër të tjera ai.

Mbyllja e TikTok-ut është kthyer në një temë të nxehtë diskutimi, me argumente të ndryshme mbi ndikimin e tij në shoqëri. Disa e shohin si një masë të nevojshme për të mbrojtur të rinjtë nga përmbajtja e dëmshme, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një cenim të lirive individuale.