Kreu i PD-së Berisha ka takuar deputeten e Forza Italia Rosaria Tassinari. Ligjvënësja italiane shoqërohej në këtë takim nga Bardhok Doda, Koordinator i përbashkët mes Forza Italia dhe Partisë Demokratike në Itali.
Berisha shkruan se bashkëpunimi mes dy forcave politike është traditë të konsoliduar ndërsa shkruan se përballë sfidave të narko-shtetit të parë në Europë, që përdor politikisht sistemin gjyqësor për të goditur opozitën e vendit dhe liderat e saj, PD ka bërë gjithçka për t’i mbetur besnike vlerave themeluese dhe karakterit të saj europian.
“I rikujtova deputetes Tassinari se kjo situatë shpaloset në kufijtë e të pabesueshmes, dhe rastet e shumta të përfaqësuesëve socialistë të lidhur me krimin e organizuar në Itali dëshmojnë se narko-regjimi i Edi Ramës është një sfidë madhore për të dy vendet. Niveli i paprekshmërisë së pushtetarëve, krahasuar me dhunën e shtypjes së opozitës, gjen shëmbullin më të jashtëzakonshëm tek burgosja dhe dënimi politik i deputetit Salianji, dhe mbrojtja që Rama i bëri vëllait trafikant të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.” – shkruan Berisha.
Kryedemokrati shton në fund se ai dhe deputetja italiane ndanë pikëpamjet se ndryshimi i orientimit politik në Shtetet e Bashkuara është një çast historik për t’i ofruar arenës ndërkombëtare një qasje krejt të re.
“Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet në respektimin e këtyre angazhimeve duke e kthyer Shqipërinë e madhërishme në një realitet të prekshem për çdo bashkëkombas. Rikthimi i dinjitetit të ushtrisë dhe policisë përballë narko-pushtetarëve, garantimi i barazisë përballë ligjit, dhe mbrojtja e vlerave dhe buxhetit të familjes shqiptare, PD do të bëjë gjithçka që Shqipëria t’i kthehet shqiptarëve më e begatë, më e fortë dhe më pasur se kurrë.” – mbyll shënimin Berisha.