Vendosni fjalën kyçe....

Grevë 24 orëshe të hënën, bllokohen aeroportet kryesore në Gjermani


Pothuajse të gjitha aeroportet gjermane, përfshirë ato në qendrat kryesore të vendit në Frankfurt, Mynih dhe Berlin, përballen me ndërprerje të hënën pasi sindikata e punës Ver.di i bëri thirrje personelit tokësor, mbajtësve të bagazheve dhe stafit të sigurisë për të hyrë në një grevë njëditore, shkruan Bloomberg.

Priten kufizime të mëdha për nisjet dhe mbërritjet, përfshirë anulimet e përhapura të fluturimeve. Në përgjithësi, grevat do fillojnë të dielën në mbrëmje dhe do përfundojnë 24 orë më vonë, tha sindikata në një deklaratë të dielën. Aeroporti i Hamburgut është tashmë i mbyllur për shkak të grevës, sipas faqes së tij të internetit.

“Grevat po ndërpresin një vend të tërë nga trafiku ajror,” tha Ralph Beisel, drejtor menaxhues i shoqatës së aeroportit ADV.

“I bëjmë thirrje Ver.di-t të marrë në konsideratë interesat e pasagjerëve dhe të kërkojë një zgjidhje miqësore në tryezën e bisedimeve.”

Sindikata, e cila përfaqëson rreth 2 milionë punëtorë, javën e kaluar shprehu mbështetje për planet gjithëpërfshirëse të reformës fiskale nga kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, duke thënë se kjo do ndihmonte në modernizimin e infrastrukturës së shkatërruar të vendit. Ekonomia më e madhe e Evropës ka planifikuar investime të financuara nga borxhi prej 500 miliardë euro gjatë 10 viteve dhe planifikon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në një shkallë të madhe.

Kërkesat e sindikatës përfshijnë paga më të larta, më shumë ditë pushimi dhe kufizime në kontratat e përkohshme.

“Me grevat e tyre paralajmëruese të hënën, punonjësit do tregojnë se janë seriozë për përmirësimin e kushteve të tyre të punës”, tha në deklaratë Wolfgang Pieper, kryenegociatori i Ver.di.