Izraeli dhe Hamasi sinjalizojnë gatishmërinë për bisedimet e ardhshme të armëpushimit


Izraeli dhe Hamasi sinjalizuan të shtunën se po përgatiteshin për fazën tjetër të negociatave të armëpushimit, ndërsa ndërmjetësit shtynë përpara me bisedimet për të zgjatur armëpushimin e brishtë 42-ditor që filloi në janar.

Hamasi tha se kishte “tregues pozitivë” për fillimin e bisedimeve të fazës së dytë të armëpushimit, por nuk dha hollësi.

Izraeli tha gjithashtu se po përgatitej për bisedime.

“Izraeli ka pranuar ftesën e ndërmjetësve të mbështetur nga SHBA-ja dhe do të dërgojë një delegacion në Doha të hënën në përpjekje për të çuar përpara bisedimet”, tha zyra e kryeministrit Netanyahu.

Një delegacion nga Hamasi është duke u përfshirë në bisedime për armëpushimin në Kajro me ndërmjetësit egjiptianë të cilët kanë ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve së bashku me zyrtarë nga Katari. Ata synojnë të vazhdojnë në fazën tjetër të marrëveshjes, e cila mund të hapë rrugën për t’i dhënë fund luftës, shkruan Reuters.

“Ne pohojmë gatishmërinë tonë për t’u angazhuar në bisedimet e fazës së dytë në një mënyrë që përmbush kërkesat e popullit tonë dhe ne bëjmë thirrje për përpjekje të shtuar ndihmën për Rripin e Gazës dhe heqjen e bllokadës ndaj popullit tonë të vuajtur,” tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif Al-Qanoua.

Marrëveshja e armëpushimit të Gazës që hyri në fuqi në janar kërkon që 59 pengjet e mbetura në robërinë e Hamasit të lirohen në një fazë të dytë, gjatë së cilës do bisedoheshin planet përfundimtare për përfundimin e luftës.