Kandidati pro-rus ndalohet për të garuar në zgjedhjet presidenciale në Rumani, reagon Musk: “Vendim i çmendur” 


 

Autoriteti Qendror Zgjedhor i Rumanisë ka ndaluar kandidatin e ekstremit të djathtë dhe pro-rus, Cǎlin Georgescu, nga pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të përsëritura që do të mbahen në maj. 

Refuzimi i kandidaturës së tij, i shpallur të dielën në mbrëmje dhe i dënuar nga liderët e partive të ekstremit të djathtë si një veprim antidemokratik, mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese. 

Dhjetëra mbështetës të Georgescu-t, i njohur për qëndrimet e tij populiste, u mblodhën jashtë zyrës zgjedhore duke brohoritur “Liri” dhe tentuan për pak kohë të çanin kordonin e sigurisë, përcjell The Guardian.

Georgescu dorëzoi kandidaturën e tij të premten për zgjedhjet e majit, mes spekulimeve se nuk do t’i lejohej të garonte. 

Gjykata më e lartë e Rumanisë anuloi procesin zgjedhor vetëm dy ditë para raundit të dytë të votimit në dhjetor, duke përmendur akuza për ndërhyrje ruse në favor të Georgescu-t, të cilat Moska i ka mohuar. 

Anëtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, e kanë cilësuar anulimin e zgjedhjeve në Rumani si një shembull të shtypjes së lirisë së shprehjes dhe të opozitës politike nga qeveritë evropiane. 

 

Elon Musk reagon ndaj ndalimit të Georgescu-t

Miliarderi i teknologjisë dhe këshilltari i Trump-it, Elon Musk, e quajti vendimin e autoriteteve zgjedhore rumune si “të çmendur” në platformën e tij sociale X. 

Ndërkohë, Georgescu është nën hetim penal për gjashtë akuza, duke përfshirë anëtarësinë në një organizatë fashiste dhe përhapjen e informacioneve të rreme mbi financimin e fushatës. Ai ka mohuar të gjitha akuzat.