Kurti akuza Vuçiçit: Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë


Kryeministri i Kosovës ka akuzuar Beogradin për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas Kurtit, presidenti serb Vuçiç ka autorizuar kriminelin Milan Radoiçiç për ndërhyrjen.

Përveç Vuçiçit e Radoiçicit Kurti përmendi edhe kreun e BIA-s Petar Petkoviç, mediat serbe të kontrolluara nga qeveria, Listën Serbe dhe strukturat e paligjshme përfshirë Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, telekomin e Serbisë dhe ish-pjesëtarë të policisë së Kosovës.

“Serbia orvatet që vendin tonë të mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik, por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe mbylljes së strukturave ilegale. Vetë presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e jo shtetëror serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi, Milan Radojçiq, apo njeriu i cili ka marr detyrat nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti në konferencën e përbashkët me Nenad Rashiç, ministrin për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, shkruan Klankosova.tv.

Kurti tha se Serbia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, të Nenad Rashiçit.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, të Nenad Rashiqit, ministrit të qeverisë sonë për Komunitete dhe Kthim, dhe Demokracisë Serbe, e poashtu edhe votuesit e subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë e ashkalinj. Përfaqësues të caktuar të pothuajse të gjitha subjekteve serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore e edhe në gjashtë komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë”. – shtoi Kurti.