Miliarderi Elon Musk shprehu mbështetjen për daljen e SHBA-së nga NATO, duke thënë në platformën e tij të mediave sociale se “nuk ka kuptim që Amerika të paguajë për mbrojtjen e Evropës”.
Këshilltari i lartë i presidentit amerikan Donald Trump po i përgjigjej një postimi të dielën në X që pohonte se SHBA-ja duhet të “dalë nga NATO tani!”
“Ne vërtet duhet të dalim,” shkroi bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i Tesla.
Më 3 mars, Musk shkroi në X se ai ra dakord me një sugjerim të një komentuesi konservator që SHBA-ja duhet të largohej nga NATO dhe Kombet e Bashkuara.
Komentet e Musk vijnë në një kohë kur e ardhmja e NATO-s, që shënon 76 vjetorin në prill, ndodhet në fije të perit.
NBC raportoi më 6 mars se Trump kishte diskutuar me ndihmësit për rregullimin e përfshirjes së SHBA-së në NATO në një mënyrë që favorizon anëtarët e aleancës që shpenzojnë një përqindje të caktuar të PBB-së së tyre për mbrojtjen.
Duke folur me gazetarët të njëjtën ditë, Trump tha se u tha aleatëve të NATO-s se nëse nuk do paguajnë faturat e tyre, ai nuk do t’i mbrojë ata.
“Kjo është e drejtë, apo jo,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
“Nëse nuk paguajnë, nuk do t’i mbroj. Jo, nuk do t’i mbroj ata.”
Brenda NATO-s, Evropa – e cila kryesisht u çarmatos pas Luftës së Ftohtë – mbështetet te SHBA-ja për komunikimin, inteligjencën dhe logjistikën, si dhe udhëheqjen strategjike ushtarake dhe fuqinë e zjarrit.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel për një samit urgjent javën e kaluar me synimin për të rritur masivisht shpenzimet e mbrojtjes.

Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së Andrius Kubilius thotë se Evropa duhet të marrë shumë më tepër përgjegjësi për mbrojtjen e saj
Zyrtarët diskutuan një propozim të Komisionit Evropian që përfshin deri në 150 miliardë euro (162.5 miliardë dollarë) kredi për shtetet anëtare për mbrojtjen, si dhe planet për të lejuar vendet të përdorin buxhetet e tyre kombëtare për të shpenzuar 650 miliardë euro për mbrojtjen gjatë katër viteve pa shkaktuar gjoba buxhetore.
“Në javët e fundit, ne kemi parë atë që unë do ta quaja një zhvillim mjaft të turbullt,” tha komisioneri i mbrojtjes i BE-së Andrius Kubilius në Bloomberg TV të premten.
“Ende ndoshta nuk është shumë e qartë se cila do jetë më në fund strategjia amerikane.”
Sipas një ligji të vitit 2023, një president nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga aleanca pa një supershumicë prej dy të tretave në Senat ose një akt të Kongresit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani