Ndërprerje masive të energjisë në Australi pas stuhisë shkatërruese


Mijëra banorë në lindje të Australisë kanë mbetur pa energji elektrike pasi një ciklon solli mot të ashpër në bregdetin lindor të vendit. 

Komunitetet në pjesën juglindore të Queensland dhe në veriun e Uellsit të Ri Jugor (NSW) kanë nisur përpjekjet për pastrimin e dëmeve pas përmbytjeve të mëdha dhe rrëzimit të linjave të energjisë e pemëve. 

Një 61-vjeçar humbi jetën pasi u mor nga ujërat e përmbytjeve të shtunën, ndërsa në një incident tjetër, 12 ushtarë u dërguan në spital pas një aksidenti rrugor gjatë një misioni shpëtimi. 

Stuhia, që goditi tokën pranë Brisbane të shtunën në mbrëmje, kishte humbur fuqinë e saj si ciklon deri në atë moment, por kryeministri australian, Anthony Albanese, paralajmëroi banorët për rrezikun e vazhdueshëm nga përmbytjet dhe moti i paqëndrueshëm. 

“Situata në Queensland dhe në veriun e Uellsit të Ri Jugor mbetet shumë serioze për shkak të përmbytjeve të menjëhershme dhe erërave të forta,” deklaroi Albanese të dielën, duke shtuar se shirat e dendur dhe dallgët e larta pritet të vazhdojnë edhe për disa ditë, përcjell BBC.

Cikloni Alfred kishte qëndruar për ditë të tëra në brigjet lindore të vendit si një ciklon i kategorisë së dytë, përpara se të dobësohej në një depresion tropikal të shtunën. 

Ekipet e shpëtimit në Queensland dhe NSW kanë kryer dhjetëra operacione shpëtimi deri të dielën në mbrëmje, kryesisht për njerëzit e bllokuar në makina ose shtëpi nga përmbytjet. Shërbimi i Emergjencave të NSW raportoi mbi 6,000 thirrje për ndihmë. 

Rreth 290,000 banesa mbeten pa energji elektrike në zonat e prekura dhe kompanitë e energjisë kanë paralajmëruar se ndërprerjet mund të zgjasin për ditë të tëra. 

Policia njoftoi se trupi i një burri 61-vjeçar u gjet pasi kishte humbur që nga e premtja, kur makina e tij u zu nga përmbytjet në Dorrigo, NSW. Megjithëse ai arriti të dilte nga makina dhe të hipte në një pemë pranë lumit, rrjedha e ujit e mori para para se ekipet e shpëtimit të mund ta arrinin.

Ndërkohë, në një aksident tjetër të shtunën, 12 ushtarë u plagosën kur konvoji i tyre u përfshi në një përplasje në Lismore, rreth 200 km në jug të Brisbane, ndërsa ishin rrugës për misionet e shpëtimit dhe rikuperimit. Dy prej tyre mbeten në gjendje të rëndë në spital, konfirmoi kryeministri i NSW, Chris Minns. 

Në Queensland, autoritetet policore thanë se deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë apo person i zhdukur si pasojë e motit ekstrem.