Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi një numër nismash të reja për të forcuar mbrojtjen në një fjalim në Varshavë, pasi fuqitë evropiane duket se do përmbushin kërkesat e presidentit amerikan Trump që kontinenti të paguajë për mbrojtjen e tij në vend që të mbështetet te Amerika.
Duke folur para parlamentit, Tusk deklaroi të premten: “Shpresa nuk është zëvendësuese e strategjisë. Shpresa është një ndjenjë e bukur, por në politikë, shpesh shkon bashkë me naivitetin apo iluzionin… Sot, Evropa ka filluar të kuptojë se meqenëse Shtetet e Bashkuara presin shpenzime, vendosmëri dhe guxim shumë më të madh nga ne, ajo duhet përmbushur.”
Pavarësisht se është një nga shpenzuesit kryesorë për mbrojtjen e NATO-s me rreth 4 për qind, Polonia duhet të rrisë shpenzimet e saj në të paktën pesë për qind të PBB-së, tha Tusk, shkruan Breibart.
Ky synim e vendos Poloninë në linjë me Estoninë dhe Lituaninë si vendet e para në Evropë që ranë dakord me thirrjen e Trump për aleatët e NATO-s që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në të paktën pesë për qind të PBB-së krahasuar me bazën e tanishme prej dy për qind, e cila është ende e paplotësuar nga shumë brenda aleancës.
Për më tepër, kryeministri Tusk bëri thirrje që Polonia të ndërtojë një ushtri prej të paktën gjysmë milioni njerëz, përfshirë rezervistët, nga rreth 200,000 që ka sot.
Së fundi, ai tha se Varshava mund të konsiderojë tërheqjen nga traktatet ndërkombëtare si Traktati i Otavës dhe Konventa e Dublinit, të cilat ndalojnë përdorimin e minave tokësore dhe bombave thërrmuese.