Analizë nga Stephen Collinson
Ishte java kur realiteti filloi ta kapte Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Donald Trump e bëri të qartë në fjalimin e tij para një sesioni të përbashkët të Kongresit të martën mbrëma se nuk do të ketë asnjë ngadalësim të ritmit të tij të pamëshirshëm, të përpjekjeve për të maksimizuar fuqinë ekzekutive dhe të tronditjes së vendit dhe botës.
Por çdo veprim politik sjell një kundërveprim.
Dhe shenjat e para të fërkimit po shfaqen, gjë që mund të ngadalësojë fillimin shokues të administratës së tij. Kjo nuk ka gjasa të ndalë lëvizjet agresive të Trump-it, por tregon se edhe ai nuk është imun ndaj gravitetit politik.
Nuk ka shumë shenja se ai përballlet me ndonjë opozitë të afërt dhe domethënëse nga demokratët e Kongresit, të cilët, me aktet e tyre të zbehta dhe të dobëta të protestës gjatë fjalimit të tij, vetëm sa ekspozuan pafuqinë e tyre.
Por ndërlikimet e një ekonomie të dobësuar duket se po peshojnë mbi sjelljen e Trump-it. Ndikimi që ka për amerikanët e zakonshëm përpjekja e Elon Musk-ut për të rrënuar qeverinë federale ka nxitur ligjvënës republikanë të kërkojnë një rol.
Gjykata e Lartë sapo ka dhënë një vendim që mund të frustrojë përpjekjen e administratës për të ndaluar ndihmën e huaj.
Dhe vendimet gjyqësore që kufizojnë kapjen e pushtetit nga Trump nënkuptojnë se muajt në vijim ka të ngjarë të jenë më të vështirë se gjashtë javët e tij të para në detyrë.
Një farsë tarifash
Të martën, për shembull, një Trump i ashpër bëri bujë me vendosjen e tarifave prej 25% ndaj Kanadasë dhe Meksikës.
Vetëm një ditë më vonë, ai e përjashtoi industrinë e automjeteve nga ky vendim për një muaj. Të enjten, ai pezulloi tarifat në të gjithë Hemisferën Perëndimore deri në prill.
Masat ndaj Kinës mbetën të pandryshuara. Por kjo nuk është hera e parë në mandatin e tij të dytë që presidenti ka përdorur tarifat si mjet presioni dhe më pas është tërhequr – si Meksika, ashtu edhe Kanadaja, kanë qënë në këtë “roller coaster” të Trump-it prej javësh.
Vendimi i tij për të tërhequr, megjithatë, erdhi pas humbjeve të rënda në bursë – një barometër që Trump e përdor për të matur performancën e tij – dhe shqetësimeve të rritura mes ligjvënësve republikanë për ndikimin e mundshëm të tarifave në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
Musk po shkakton shqetësim të shtuar në Partinë Republikane
Përplasja e Elon Musk-ut me burokracinë federale po avancon me shpejtësi. Çdo ditë sjell lajme për shkurtime të reja masive të vendeve të punës.
Këtë javë, u mësua se Musk dhe zyrtarët e kabinetit po planifikojnë shkurtimin e ndjeshëm të personelit në Pentagon dhe Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme.
Administrata insiston se këto shkurtime kanë të bëjnë me racionalizimin e burokracisë dhe heqjen e “fryrjes” së qeverisë nga epoka e Joe Biden-it. Por në fakt, ato mund të jenë pjesë e një plani për privatizimin e fshehtë të Departamentit të Veteranëve.
“Ata po e dobësojnë VA-në, duke e shkurtuar pjesë-pjesë. Dhe tani duket se po përpiqen të heqin një pjesë të madhe të tij,” tha Naveed Shah, një veteran i Luftës së Irakut.
Kongresi rrallëherë e përshpejton procesin
Shefi i Teslës zhvilloi takime me ligjvënës të Kongresit të mërkurën, mes thirrjeve për miratimin e ligjeve që do të formalizonin disa nga shkurtimet e tij.
Një përpjekje për të kodifikuar shkurtimet e Musk-ut në ligj do të ishte kursi i duhur kushtetues dhe mund të shpëtonte administratën nga beteja të zgjatura ligjore.
Por kjo gjithashtu do të shtonte ngarkesën e një Kongresi që tashmë ka sfida të shumta përpara.
Këtë javë, Gjykata e Lartë vendosi me shumicë 5-4 që administrata duhet të shpërndajë mbi 2 miliardë dollarë ndihmë të huaj, që ishte ngrirë nga Shtëpia e Bardhë.
Kjo mund të sinjalizojë që gjykata do ta kufizojë përdorimin e pushtetit ekzekutiv nga Trump-i.
Republikanët në Kongres duket se po përpiqen të ndikojnë në procesin e shkurtimeve që Musk po drejton, duke ngadalësuar ritmin e kësaj “revolucioni” administrativ.
Revolucioni ende duket se do të ndodhë. Vetëm se do të ecë më ngadalë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN