Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se “asgjë nuk është jashtë tavoline” kur bëhet fjalë për mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e BE-së, duke paralajmëruar se vlerat evropiane, si demokracia dhe sundimi i ligjit, janë në rrezik në një botë gjithnjë e më “transaksionale”.
Pa përmendur emrin e Donald Trump, ajo tha se ka një ndjenjë të re urgjence në arenën gjeopolitike dhe se “diçka themelore” ka ndryshuar që kur ajo nisi mandatin e saj të dytë më 1 dhjetor.
“Vlerat tona evropiane – demokracia, liria, sundimi i ligjit – janë nën kërcënim,” tha von der Leyen në një konferencë për shtyp të dielën, përcjell The Guardian.
“Sovraniteti dhe angazhimet e forta po vihen në pikëpyetje. Çdo gjë është bërë çështje transaksionale.”
E pyetur në mënyrë të përsëritur për marrëdhëniet me Uashingtonin, ajo tha se SHBA-ja mbetet një aleate, por shtoi: “Nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian, kjo është një thirrje shumë e fortë zgjimi.”
Rritja e shpenzimeve ushtarake
Liderët e BE-së javën e kaluar u angazhuan për të rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, pasi von der Leyen propozoi një plan prej 800 miliardë eurosh për të lejuar shtetet anëtare të marrin hua dhe të rrisin borxhin kombëtar pa u ndëshkuar nga rregullat e rrepta fiskale të bllokut.
Megjithatë, disa vende anëtare kërkojnë më shumë, duke propozuar një borxh të përbashkët për të financuar grante të drejtpërdrejta për mbrojtjen, në vend të huave.
E pyetur për këto propozime, von der Leyen u përgjigj: “Asgjë nuk është jashtë tavoline. Jam e hapur për çdo gjë që është e nevojshme.”
Një lëvizje e tillë do të kërkonte mbështetjen e Gjermanisë, e cila deri më tani ka qenë kundër një huamarrjeje të përbashkët për mbrojtjen. Megjithatë, kancelari i ri qendror i djathtë, Friedrich Merz, ka dhënë shenja të një ndryshimi të mundshëm në qëndrimin e Berlinit.
Mbështetja për Ukrainën
Ndërsa von der Leyen e quajti SHBA-në një aleate, zyrtarët e BE-së janë të shqetësuar për Trumpin, i cili ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me Kievin, si dhe ka minimizuar rëndësinë e sulmeve të Vladimir Putinit ndaj infrastrukturës civile ukrainase.
Von der Leyen theksoi nevojën për të mbështetur Ukrainën “që të vazhdojë të luftojë”, por nuk iu referua drejtpërdrejt një propozimi të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për një ndihmë të shpejtë ushtarake. Ish-kryeministrja estoneze ka kërkuar që shtetet anëtare të përshpejtojnë ndihmën për Ukrainën në vitin 2025, duke përfshirë dërgimin “sa më shpejt të jetë e mundur” të 1.5 milionë predhave të artilerisë, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe dronëve.
Pas sulmeve të fundit ruse këtë fundjavë, ku u vranë të paktën 14 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, Kallas intensifikoi thirrjet për rritjen e mbështetjes ushtarake për Kievin, duke paralajmëruar: “Përndryshe, edhe më shumë civilë ukrainas do të paguajnë çmimin më të lartë.”
E pyetur për këtë propozim, von der Leyen tha se “do të duhet të rrisim ndihmën, pa asnjë dyshim” dhe përmendi mundësinë që Ukraina të përfitojë nga plani i saj 800 miliardë eurosh, i cili ende nuk është finalizuar.
Bashkëpunimi me vende jashtë BE-së për mbrojtjen
Bashkimi Evropian ka siguruar deri më tani 52 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, një shumë e barasvlershme me atë të dhënë nga SHBA.
Von der Leyen tha se plani i saj 800 miliardë eurosh mund të shërbejë si “themelet e një bashkimi evropian të mbrojtjes” dhe sugjeroi mundësinë e bashkëpunimit me vende si Britania e Madhe, Norvegjia dhe Kanadaja. Një çështje e hapur mbetet nëse këto vende jo-anëtare mund të përfshihen në kontrata mbrojtëse me vlerë miliarda euro.
Franca, e udhëhequr nga Emmanuel Macron, mbështet një politikë “blej evropiane”, duke favorizuar prodhuesit e mbrojtjes nga BE. Megjithatë, Gjermania dhe Polonia kanë treguar gatishmëri më të madhe për të blerë pajisje të kushtueshme ushtarake nga vende jashtë BE-së.
Pa dhënë një përgjigje përfundimtare, von der Leyen dukej më e hapur ndaj këtij bashkëpunimi, duke thënë se “nuk ka nevojë të shpikim rrotën nga e para. Duhet të gjejmë një mekanizëm të zgjuar për të shfrytëzuar bashkëpunimin ekzistues në nivele të larta cilësie.”
Eliminimi i gazit rus
Von der Leyen ritheksoi angazhimin e BE-së për të eleminuar gazin rus, pavarësisht dy shtyrjeve të planit për të arritur këtë objektiv.
“Angazhohem shumë qartë për eliminimin e gazit rus. Kjo është një domosdoshmëri absolute,” tha ajo.
Megjithëse importet e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) nga Rusia arritën një rekord prej 18.8 milionë tonësh në vitin 2024, importet e gazit përmes tubacioneve, qymyrit dhe naftës nga Moska ranë ndjeshëm.