200 punonjës do të trajnohen për menaxhim dhe restaurim të siteve të trashëgimisë kulturore


Të paktën 200 punonjës të institucioneve publike që kanë në fushën e tyre të aktivitetit turizmin dhe sitet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore do të trajnohen për ruajtjen, restaurimin dhe menaxhimin e tyre.

Në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u njoftua se kjo është pjesë e projektit që lidhet me infrastrukturën dhe lehtësimin e aksesit në zonat turistike.

“Objektivi i kësaj detyre është të rrisë aftësitë dhe njohuritë e institucioneve publike përkatëse që punojnë në sektorin e turizmit në ruajtjen, restaurimin dhe menaxhimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Ky aktivitet njeh rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së këtyre vendeve për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të tyre. Objektivi për këtë detyrë është trajnimi i 200 punonjësve të institucioneve përkatëse”, thuhet në shpjegimin më të zgjeruar të asaj se çfarë synon kontrata.

Kjo procedurë vjen pas një serie procedurash të tjera të lidhura me lehtësimin e aksesit dhe infrastrukturës në zonën e Bogës në Alpet Shqiptare apo përmirësimin e rrjetit energjetik po në këtë rajon, ku kryesisht rrjeti i shpërndarjes është i amortizuar apo nuk ekziston.

Data e mbylljes së procedurës së fundit që lidhet me trajnimin e institucioneve publike të lidhura me turizmin është 15 prilli.

Projekti për lehtësimin e turizmit dhe mundësimit të aksesit në këto zona financohet nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për qeverinë shqiptare, me një shumë prej 60 milionë eurosh dhe bashkëfinancim prej një granti investimesh të Bashkimit Europian prej 46 milionë eurosh.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.