Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka sqaruar publikisht arsyet e financimit të një studioje të njohur ligjore amerikane për mbrojtjen juridike të vëllait të tij. Në një njoftim publik, ai theksoi se është garant financiar për këtë angazhim dhe se veprimi është bërë për të siguruar konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen e Kryebashkiakut të Tiranës.
Arbër Veliaj theksoi se të ardhurat e tij janë të ligjshme dhe kanë burim nga aktiviteti tregtar i zhvilluar për gati dy dekada, pa asnjë lidhje me pozitat e vëllait të tij. Ai gjithashtu shtoi se ka ndihmuar në zhvillimin e sektorëve ku operon dhe ka kontribuar në buxhetin e shtetit shqiptar si një taksapagues i rregullt.
“Ky veprim është një shenjë e lidhjes time të pandashme me vëllain tim dhe një shprehje e bindjes time për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës,” deklaroi Arbër Veliaj.
Deklarata e plotë:
Unë jam Arbër Veliaj, një sipërmarrës me një përvojë 19-vjeçare në biznes, me të ardhura plotësisht të ligjshme, të cilat burojnë nga aktiviteti im tregtar i zhvilluar për gati dy dekada, në pavarësi të plotë nga im vëlla, Erion Veliaj.
Gjatë këtyre viteve, kam ndërtuar një portofol të suksesshëm klientësh ndërkombëtarë, duke punësuar mbi 80 vetë dhe duke i paguar shtetit shqiptar të gjitha detyrimet, si nje taksapagues i rregullt e një kontributor në zhvillimin e sektorëve ku operoj.
Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.
Ky veprim përveçse ne lidhjen time të pandashme me tim vëlla, bazohet në bindjen time të plotë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës.