Kryeministri Edi Rama, ka prekur sërish çështjen e vendimit për mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri.
Përmes një video-mesazhi në Facebook, Rama thekson se kjo masë ka ardhur pas kërkesave të shumicës së prindërve dhe mësuesve në Këshillimin Kombëtar.
Ai thotë se ky vendim nuk ka lidhje me lirinë e fjalës apo zgjedhjet, por me sigurinë e fëmijëve në internet.
“95% e prindërve dhe mësuesve na kanë kërkuar që ta mbyllim TikTok-un sa më shpejt. Ne jemi futur në dialog me kompaninë dhe presim që brenda pak muajsh ajo të na paraqesë një plan të qartë për sigurinë e fëmijëve,” – deklaroi Rama.
Rama shton se mbyllja është përkohshme dhe se do të zgjasë deri në momentin kur TikTok të ofrojë garanci të plota për mbrojtjen e të miturve.
Në këtë mesazh, Rama ironizoi edhe opozitën dhe kreun e PD, Sali Berisha, duke e quajtur atë sërish si “bufi i kënetës” dhe duke kritikuar qëndrimin e tij lidhur me protestën e thirrur kundër mbylljes së TikTok.
“Bufi i kënetës i bën thirrje fëmijëve të mos shkojnë në shkollë dhe prindërve t’i bashkohen protestës për TikTok-un. Kjo është filozofia e opozitës: të helmojnë debatin politik dhe të përdorin çdo temë për të sulmuar,” – u shpreh Rama.
Ai e konsideroi këtë qëndrim një “lajthitje të rrezikshme”, që sipas tij, ka kaluar nga politika në përfshirjen e fëmijëve në beteja politike.
“Nuk është më për të qeshur kur kjo shkon deri te fëmijët,” – shtoi ai.
Në përfundim, kryeministri theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik për të ardhmen e saj dhe se zgjedhja është mes “hyrjes në Evropë” apo “zhytjes në kënetën e së shkuarës”.