Delegacioni izraelit mbërrin në Katar për të biseduar mbi fazën e dytë të armëpushimit


Izraeli ka konfirmuar se do të dërgojë një delegacion në kryeqytetin e Katarit për bisedime mbi zgjatjen e një armëpushimi me Hamasin, përcjell Al Jazeera.

Të shtunën në mbrëmje, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se një delegacion do të dërgohej në Doha të hënën në “një përpjekje për të çuar përpara negociatat”. Kjo vjen pasi një ekip i Hamasit u takua me zyrtarë egjiptianë në Kajro të shtunën për të negociuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.

“Delegacioni thekson domosdoshmërinë e respektimit të të gjitha kushteve të marrëveshjes duke vazhduar menjëherë për fillimin e negociatave për fazën e dytë, hapjen e pikave kufitare dhe lejimin e hyrjes së materialeve ndihmuese në Gaza pa asnjë kufizim apo kusht”, thuhet në një deklaratë.

Në komentet e mëparshme, zëdhënësi i Hamasit, Abdel Latif al-Qanoua tha një ditë më parë se “treguesit janë pozitivë në lidhje me fillimin e negociatave për fazën e dytë”.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfundoi më 1 mars, pas gjashtë javësh shkëmbime, duke përfshirë 25 pengje izraelitë të mbajtur në Gaza për lirimin e 1,800 palestinezëve në burgjet izraelite.

Izraeli ka thënë se dëshiron të zgjasë fazën e parë të marrëveshjes deri në mes të prillit, duke refuzuar të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes që përfshin një fund të plotë të luftës dhe tërheqje të plotë të forcave të tij nga Gaza.

Hamasi, megjithatë, thotë se dëshiron që të dyja palët të kalojnë në fazën e dytë siç është rënë dakord.