Elon Musk ka ngritur dyshime se sulmi kibernetik shkatërrues që rrëzoi aplikacionin social X të hënën e kishte origjinën në Ukrainë, përcjell Daily Mail.
Dyshimet u hodhën pas problemeve të përsëritura teknike me platformën, e cila ka qenë jashtë funksionit për pjesën më të madhe të ditës.
“Epo, nuk jemi të sigurt saktësisht se çfarë ndodhi,” deklaroi Musk të hënën pasdite.
“Por pati një sulm të madh kibernetik për të rrëzuar sistemin X, me adresa IP që vinin nga zona e Ukrainës.”
Më herët gjatë ditës, Musk pati konfirmuar se X ishte duke u sulmuar nga një “sulm masiv kibernetik”.
Ai theksoi gjatë intervistës se platforma tashmë është rikthyer në funksion.
Deklarata e tij erdhi pasi platforma ishte jashtë funksionit për përdoruesit në mbarë botën. Ata kishin raportuar probleme me aplikacionin dhe faqen web që nga ora 5:30 e mëngjesit me orën lindore të SHBA-së (ET).
Musk shkroi në X se sulmi përfshinte aq shumë burime sa ai beson se mund të jetë vepër e një “grupi të koordinuar” ose e një shteti të huaj.