GJKKO lë në fuqi sekuestron ndaj pasurisë së nënës së Ajola Xoxës


Apeli i GJKKO ka konfirmuar sekuestron ndaj pasurisë së Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxës, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Vendimi u shpall sot nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa Xoxa ka të drejtë ta ankimojë në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa, është paraqitur në GJKKO për seancën lidhur me sekuestrimin e telefonit dhe kontrollet në bizneset e saj.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:

 

 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.